LAJMI I FUNDIT:

Në dy shkolla të Fushë Kosovës mësimi nis me protesta

Në dy shkolla të Fushë Kosovës mësimi nis me protesta

Në shkollat fillore “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë procesi mësimor sot ka nisur me protesta.

Krejt kjo pasi që prindërit e kanë kundërshtuar zhvendosjen e rreth 1200 nxënësve të paraleleve gjashtë deri në nëntë nga shkolla “Mihal Grameno” në shkollën “Daut Bogujevci”.I shqetësuar për vajzën e tij e cila tani e tutje do të udhëtojë çdo ditë rreth 2 kilometra është Lulzim Hoti i cili thotë ky vendim është i gabuar.


Ai thotë se trafiku i dendur në rrugët e Fushës-Kosovë e bënë edhe më të rrezikshëm udhëtimin e fëmijëve nga shtëpitë e tyre deri në shkollën “Daut Bogujevci”, prandaj prindërit do të detyrohen që vet t’i sjellin fëmijët në shkollë. Elza Ahmeti nxënëse e klasës së nëntë shprehet e kënaqur me ambientin e ri shkollor, ndonëse shqetësim ka mënyrën e udhëtimit që tani e tutje do e bëjë çdo ditë.

Ndërsa,drejtori i shkollës , “Mihal Grameno”, Ismet Gashi thotë se hapësira e pamjaftueshme që posedon kjo shkollë dhe numri i madh i nxënësve të rinj i ka obliguar që së bashku me DKA-në e kësaj komune të marrin vendimin për zhvendosjen e këtyre paraleleve.

Sipas tij nëse ndërtohet objekti i ri shkollor në lagjen “Dardania” në Fushë-Kosovë, vitin e ardhshëm nxënësit përsëri do të transferohen më afër.Lidhur me sigurimin e transportit kur dihet se shkolla “Daut Bogujevci” është afër 2 kilometra më larg, drejtori i “Mihal Gramenos” thotë se kjo do jetë përgjegjësi e prindërve, pasi sipas tij për 1200 nxënës nuk mund të sigurojnë transport.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë për KosovaPress kanë bërë të ditur se vitin e ardhshëm pritet të përfundojë objekti i ri shkollor në lagjen

“Dardania” dhe në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe ky problem.Drejtori i DKA-së, Islam Shabani tha për KosovaPress se sot procesi mësimor në këtë komunë ndonëse ka nisur me protesta gjendja më vonë është stabilizuar.Sipas tij shqetësim nuk kishte vetëm nga prindërit e nxënësve të shkollës “Mihal Grameno”, por edhe nga ata të shkollës” Daut Bogujevci” të cilët kërkonin që fëmijët e tyre të fillojnë mësimin në objektin e ri të kësaj shkolle.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi duke ia vënë përgjegjësinë për zgjedhjen e këtij problemi Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë tha se do ofrojnë mbështetje për të gjetur zgjidhje edhe për këtë çështje.

Ndryshe, shkolla fillore “Mihal Grameno” ballafaqohet me numër të madh të nxënësve tash e disa vite por që zgjidhje nuk kanë ofruar deri më tani as Ministria e Arsimit dhe as DAK e kësaj komune.