LAJMI I FUNDIT:

Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, Libraria “Dukagjini” propozon veprat që duhet lexuar

Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, Libraria “Dukagjini” propozon veprat që duhet lexuar

21 marsi është ditë e veçantë për adhuruesit e poezisë. Duke qenë Dita Ndërkombëtare e Poezisë, ajo shënohet në mënyra të ndryshme, gjithnjë me qëllimin për të nxitur lexuesit dhe krijuesit ta duan këtë zhanër letrar. Ju këtë mund ta bëni duke u përcaktuar për përmbledhjet e mëposhtme të poezive – në gjuhën shqipe apo në gjuhën angleze – që gjenden në Librarinë “Dukagjini”.

A YEAR OF SCOTTISH POEMS (me përzgjedhje nga Gaby Morgan)


Është kjo një përmbledhje poezish nga autorë të njohur të Skocisë. Ajo që e bën të veçantë këtë vepër janë emrat e përfshirë, si: Walter Scott, Robert Burns, George Mackay Brown, Louis Stevenson etj. Autorët i përkasin periudhave të ndryshme, por kjo na ndihmon që të kuptojmë botën artistike të një vendi të lashtë. Poezitë shtjellojnë tema nga më të ndryshme, si nga dashuria, jeta, patriotizmi, shteti dhe ekzistenca e njeriut.

LEAVES OF GRASS (nga Walt Whitman)

Kjo vepër është përmbledhje nga autori i njohur amerikan, Walt Whitman. Edhe pse edicioni i parë është botuar më 1855, Whiltman i ka kaluar vitet tjera të jetës duke e kontrolluar dhe rishikuar atë. Poezitë kanë një lidhje të dobët me njëra-tjetrën, sepse autori është munduar të shpreh filozofinë e tij për jetën. Whitman ka përdorur alegorinë dhe metaforën, ndërsa fokusohet në natyrë dhe njerëzim (i ndikuar edhe nga Ralph Waldo Emerson).

CRYSTALLOGRAPHY (nga Christian Bok)

Tek ky libër mund ta gjejnë veten adhuruesit e flaktë të poezisë dhe të gjuhës. I shkruar në vitin 1994, vepra shtjellon dhe ndërthur temën e kristalografisë me analizën e rrënjës së fjalëve. I frymëzuar nga etimologjia e fjalës “kristalografi”, vepra përfaqëson një shkrim të qartë që përdor gjeologjinë për të krijuar lidhje mes gjuhës dhe fjalës. Siç thotë autori, “fjala është paksa kristal në formacion”, duke sugjeruar se ekziston një hapësirë në të cilën fjalët, ashtu si kristalet, mund të rezonojnë një formë të pastër.

OUR NUMBERED DAYS (nga Neil Hilborn)

Ky libër është i veçantë sepse trajton një temë të ndjeshme: të sëmundjeve mendore. Nëpërmjet poezisë, autori mundohet ta ndihmojë këtë pjesë të shoqërisë.

LULET E SË KEQES (nga Charles Baudelaire)

Pak shkrimtarë kanë pasur ndikim te brezat pasardhës sa Charles Baudelaire, të cilin e konsiderojnë si poetin e parë modern. Emri i tij njihet kudo, meqë është poeti më i përkthyer dhe më i lexuar francez. Ai është një prej simbolistëve më të shquar, që hapi udhën për shkollat e ardhshme moderniste. Talenti i tij vërehet më së miri te kjo vepër. Shkrimtari dhe studiuesi Primo Shllaku, ka punuar me dekada në përkthimin e kësaj vepre.

TRISTIA (nga Osip Mandelstam)

Fjala është për një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekullit XX. Kjo përmbledhje autori shfaq fuqinë e individit dhe dashurinë e tij për shoqërinë. Nëpërmjet përkthimit të Agron Tufës, ne mund të ndjejmë se me çfarë emocioni janë shkruar këto poezi në kohët e errëta të komunizmit.

MISH DHE QIELL (nga Pier Paolo Pasolini)

Kjo përmbledhje i dedikohet kryesisht të rinjve. Boshti rreth të cilit sillen poezitë është dashuria si fjalë drejt zemrës së rinisë, dhe angazhimi qytetar si shenjë e një vetëdijeje të pjekur shoqërore. Këto poezi mund të lexohen, të recitohen, të dhurohen… nga të gjithë ata që duan të shprehin ndjenjat e fshehura.

POEZI (nga Georg Trakl)

Këtu pasqyrohet ndikimi i Baudelairet, meqë autori në shumë raste shprehet sesa shumë e adhuronte stilin e tij. Poezitë në këtë vepër shtjellojnë më shumë tema filozofike, duke krijuar një lloj misteri tek lexuesit. Po ashtu, aty dominon ton i zymtë që shpreh gjendjen shpirtërore të autorit. /Telegrafi/