LAJMI I FUNDIT:

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, qytetarët thonë se nuk kanë ku të ankohen

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, qytetarët thonë se nuk kanë ku të ankohen

Sot është Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorëve. Këtë vit kjo ditë shënohet në kohën kur kemi rritje të madhe të çmimeve dhe pakënaqësi e ankesa të shumta të qytetarëve.

Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve si dhe mbrojtjen e tyre nga praktikat abuzive të tregtarëve.


Në Ditën Ndërkombëtare të Kosnumatorit Telegrafi ka pyetur qytetarët se sa respektohet e drejta e konsumatorit në Kosovë.

Qytetarja Hatixhe Beka tha se të drejtat e konsumatorit nuk respektohen duke u nisur nga fakti që kur kryejnë blerje në markete nuk u jepet kuponi fiskal.

“Të drejtat e konsumatorit në Kosovë shumë pak respektohen. Kjo sepse për shembull ne shkojmë të blëjmë diçka në market, ata nuk na japin kuponin fiskal. E po ashtu edhe kjo e fundit që ndodhi me shtrenjtimet që u bënë, ishte vaji, pastaj sheqeri dhe të gjitha të tjerat. Por unë mendoj që kjo ka ndodhur vetëm për faktin se nuk janë dalë inspektorët në terren. Nuk ke ku të ankohesh, është e kotë”, u shpreh Beka.

Hatixhe Beka, qytetare

Kurse Rexhep Gërguri një qytetar tjetër thotë se kur iu shkelet e drejta si konsumatorë nuk dinë as ku të ankohen, duke shtuar se nuk sheh asnjë element të respektimit të së drejtës së konsumatorit në Kosovë.

“Unë nuk shoh të respektohet e drejta e konsumatorit në Kosovë dhe po ashtu nuk shoh elemente të zbatimit të së drejtës së konsumatorit. Ku të ankohemi. Na kanë rrethuar të gjitha shtrenjtimet përnjëherë nuk po dimë as ku të ankohemi më. Gjithçka ka mbërritur në maksimum”,  theksoi Gërguri.

Rexhep Gërguri, qytetar

Në anën tjetër bashkatdhetari Skënder Hoti, i cili jeton në Gjermani, mendon se në Kosovë nuk respektohet konsumatori, sikurse në diasporë.

“Unë kam ardhur prej diasporës, por siç po e shoh këtu, nuk po respektohen aspak. Këtu konsumatori është zero. Shumë dobët. Shumë korrupsion të gjitha njëherësh. Mirëpo, ndoshta shkon duke u përmirësuar. Unë jetoj në Gjermani. Atje të drejtat e konsumatorit janë shumë të rregulluara, sepse çdo gjë e ka vendin e vet. Po ashtu çdo ankesë merret parasysh dhe kryhet menjëherë”, thotë Hoti.

Skënder Hoti, qytetar

Në anën tjetër, Udhëheqësi i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Njazi Shala, në një prononcim për Telegrafin, theksoi se ankesat e konsumatorit në këtë departament, gjatë vitit 2021 ishin rritur për 100 përqind në krahasim me vitin 2020.

Kurse sa i përket vitit 2022, Shala tha se pothuajse të gjitha ankesat janë adresuar për ngritjen e çmimeve që ndodhën së fundmi.

“Sa i përket trajtimit të ankesave, aktualisht e di që janë në rritje. Mund të them se për vitin 2021, në krahasim me vitin 2020, ka pasur rritje të ankesave diku 100%. Ndërsa sa i përket vitit 2022, deri më tani prapë qëndrojmë më mirë sesa në vitin 2021. Këtë vit ankesat janë kryesisht për rritjen e çmimit të produkteve. Ne i pranojmë ankesat. I shikojmë a kanë bazë ligjore dhe pastaj i adresojmë tek Autoriteti i Konkurrencës”, deklaroi ai.

Njazi Shala, Udhëheqës i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit

Shala tutje shtoi, se janë është duke punuar gjithashtu në plotësim ndryshimin e Ligjit për mbrojtën e konsumatorit.

“Në aspektin e politikave rishtazi është miratuar programi për mbrojtjen e konsumatorit, bashkërisht me këshillat për mbrojtjen e konsumatorit që parasheh objektivat afatgjata dhe afatmesme, në këtë rast deri në vitin 2025. E në kuadër të këtyre objektivave është edhe pjesa e legjislacionit. Aktualisht jemi në përpilim të plotësim ndryshimit të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ku ndryshimet kryesore parashohin tregtinë elektronike dhe dispozitat ndëshkuese”, përfundoi Shala.

Kosova ka ligjin e saj për mbrojtjen e konsumatorit, të miratuar në qershor 2004. /Telegrafi/