LAJMI I FUNDIT:

Në dhjetor përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, kërkohet pagesa e shërbimeve

Në dhjetor përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, kërkohet pagesa e shërbimeve

Kompania e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” ka njoftuar se punimet për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” janë duke shkuar drejt finalizimit.

“Fabrika e ujit në Shkabaj do të përfundojë në fund të muajit dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim, mbetet si një dy përqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017”, kanë thënë në kompaninë e ujësjellësit “Prishtina”.


Faza e III-të e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milionë euro.

“Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milionë euro dhe 20 milionë KRU ‘Prishtina’ i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti përmban këto komponentë: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Punimet në këtë fabrikë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të madhe”.

Projekti ”Shkabaj” është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR “Prishtina”, dhe se është një projekt vendimtar jo vetëm për kryeqytetin por për gjithë vendin. Me realizimin e këtij investimi, që është planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Podujevën dhe komunat tjera nën menaxhimin e KUR “Prishtina”, do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet.

Ndërtimi i kësaj fabrike gjithsesi e ndihmon qytetarin që të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë por, në të njëjtën kohë e rritë mjaft koston e shpenzimeve operative prej mbi 1.5 milion euro. /Telegrafi/