LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimi demografik nuk është krizë, por mundësi

Ndryshimi demografik nuk është krizë, por mundësi

Evropa është në mes të një tranzicioni demografik, me pasoja afatgjata. Njerëzit bëjnë më pak fëmijë dhe jetojnë më gjatë e më të shëndetshëm. Shumë të tjerë janë në lëvizje – në kërkim të mundësive më të mira.

Për pasojë, popullsia e Evropës po plaket, me shpejtësi. Tashmë një në katër evropianë është mbi 60 vjeç. Deri në vitin 2050, më shumë se një e treta e popullsisë së kontinentit do të jetë në atë grupmoshë.

Disa popullsi kanë filluar të tkurren. Kjo po ndodh kryesisht në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, ku shkallët e lindshmërisë janë shumë të ulëta; nga ku shumë njerëz ikin nga vendet e tyre për të punuar diku tjetër, ndërsa qeveritë nuk kanë qenë në gjendje – ose nuk kanë dashur – të tërheqin imigrantë.

Këto ndryshime demografike shpesh portretizohen si krizë. Përveç faktorëve bazikë që i nxisin këto ndryshime, ka shumë mënyra e arsye për kremtim. Popullsia po plaket sepse njerëzit janë më të shëndetshëm dhe jetojnë më gjatë. Shkallët e lindshmërisë janë më të ulëta, sepse gratë jo vetëm kanë më shumë zgjedhje dhe më shumë mundësi të vendosin për veten e tyre, por edhe për shkak të këtyre mundësive. E, numri i popullsisë po zvogëlohet në disa vende, sepse njerëzit kanë më shumë liri për të zgjedhur se ku duan të jetojnë e të punojnë.

Megjithatë, ballafaqimi me efektet e ndryshimeve demografike nuk është i lehtë. Gjithnjë e më pak njerëz në moshë pune duhet të punojnë që të mbajnë një numër gjithnjë në rritje të të moshuarve. Sistemet sociale janë nën trysni të madhe. Ndërkohë po kushton shumë mirëmbajtja e infrastrukturës dhe shërbimeve në rajonet rurale gjithnjë e më pak të populluara.

Këto nuk janë kërcënime ekzistencialiste. Janë sfida që kërkojnë zgjidhje. Lajmi i mirë është se ka një konsensus, në rritje, se çka po funksionon për adresimin e efekteve të ndryshimit demografik e çka jo.

Pjesa më e madhe e fokusit – veçanërisht në Evropën Lindore – ka qenë në rritjen e shkallëve të lindshmërisë. Qeveritë janë përpjekur të ofrojnë stimuj financiarë për njerëzit, për t’i inkurajuar të kenë më shumë fëmijë. Dëshmitë që kemi sugjerojnë se kjo nuk po funksionon mirë: shkalla e lindjeve mund të rritet përkohësisht por, në përgjithësi, numri i fëmijëve që gratë kanë gjatë jetës së tyre zor se ndryshon. Edhe atje ku rritet shkalla e lindshmërisë, ndryshimet janë të vogla dhe, asnjë vend në Evropë, madje as ato që investojnë përqindjet më të mëdha të BPV-së së tyre për mbështetjen e familjes, nuk i janë afruar një shkalle që do të siguronte stabilizimin e popullsisë – e lëre më rritjen.

Kjo nuk do të thotë se mbështetja për familjet nuk është e këshillueshme. Përkundrazi, masat e zgjuara që e bëjnë më të lehtë për të rinjtë që të krijojnë familje, janë thelbësore për t’ua lejuar njerëzve të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë. Kjo kërkon heqjen e shumë pengesave me të cilat përballen njerëzit kur marrin vendime për fëmijët: pasiguritë ekonomike, kostot e larta të strehimit, infertiliteti në rritje, mungesa e kujdesit të përballueshëm ekonomik për fëmijët dhe pritshmërinë që gratë t’i lënë anash karrierat e tyre e ta mbajnë të vetme barrën e kujdesit.

Çka funksionon më shumë, për adresimin e ndryshimeve demografike, është krijimi i një pakete gjithëpërfshirëse politikash që janë të përqendruara te njerëzit dhe të bazuara fort në dëshmi, e që trajtojnë shumë faktorë – socialë, ekonomikë, politikë dhe kulturorë – që ndikojnë në vendimet dhe te zgjedhjet e njerëzve në lidhje me jetët dhe të ardhmen e tyre.

Nëse kjo bëhet siç duhet, ndryshimi demografik mund të hapë mundësi për inovacion që mund t’i katapultojnë vendet drejt një të ardhmeje më të begatë. Në Evropën Qendrore dhe Lindore, qytete si Kluzhi në Rumani ose Beogradi në Serbi, janë kthyer si qendra kryesore për industrinë e teknologjisë, duke tërhequr talente nga brenda vendit, madje edhe nga jashtë.

Në mbarë Evropën migrantët janë kthyer në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke sjellë me vete shkathtësi, njohuri dhe lidhje të çmuara. Zonat rurale po shohin një ringjallje pasi “nomadët digjitalë” janë në kërkim të një jete më të gjelbër, me më pak stres dhe më miqësore me familjen. Qeveritë po eksperimentojnë mënyrat për t’i shfrytëzuar kontributet e të moshuarve dhe për t’i integruar më mirë në ekonomi dhe në shoqëri. E, për t’i hapur tregjet e punës dhe jetën publike, më shumë ndaj grave, ndaj pakicave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara, duhet përdorur burimet që deri tani nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Të gjitha këto kontribuojnë për t’i bërë vendet më të afta për trajtimin e sfidave demografike.

Së bashku me Qeverinë e Bullgarisë, UNFPA po bashkon qeveritë dhe liderët e këtij mendimi nga e gjithë Evropa, në një konferencë të nivelit të lartë në Sofje, më 1-2 dhjetor 2021, për të diskutuar zgjidhjet inovative dhe për tëa nisur një dekadë të ripërtëritjes demografike.

Shpresojmë që kjo konferencë të jetë moment historik në përpjekjet e Evropës për ta formësuar të ardhmen e saj demografike dhe për t’i gjetur shtigjet që vendet të lulëzojnë në një botë me ndryshime më të shpejta demografike.

Është koha ta lëmë pas narrativën e ankthit e të kiametit që ka dominuar diskursin për një kohë të gjatë, e ta shikojmë ndryshimin demografik si mundësi për ta ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të larmishme dhe, në fund të fundit, më të fortë dhe më të begattë.

(Autorja është drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore)

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Premier League
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Kalo në kategori