LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimet kushtetuese, sfida kryesore e Maqedonisë së Veriut në vitin 2024

Ndryshimet kushtetuese, sfida kryesore e Maqedonisë së Veriut në vitin 2024

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që do të mbahen në muajt prill dhe maj, si dhe ndryshimet kushtetuese, janë dy sfidat kryesore që e presin Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024.

Ndryshimet kushtetuese pritet të dominojnë fushatën e partive në pushtet të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM) dhe atyre në opozitë nën drejtimin e OBRM-PDUKM-së, dhe që tani nisur me akuzat ndaj njëra-tjetrës për “tradhti” dhe “politikë anti-perëndimore dhe pro-ruse”.


Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, ashtu siç parashihet me “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen, ishin prioritet kryesor edhe gjatë vitit 2023.

Por, ndryshimet kushtetuese nuk u bënë për shkak të mungesës së konsensusit të nevojshëm në Kuvend dhe për pasojë Maqedonia e Veriut nuk arriti që në samitin e BE-së në dhjetor të marrë miratimin e Unionit për nisjen e bisedimeve për kapitujt.

“Ne nuk arritëm t’i nisim bisedimet për shkak të opozitës, e cila vendosi ta bllokojë shtetin e vet. Ne nuk heqin dorë nga synimet tona dhe ne nuk kemi dështuar. Ne po luftojmë që të mos kemi njëmbëdhjetë vjet të humbura, por vetëm një, pasi kohën e humbur askush nuk do të mund të na e kompensojë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

OBRM-PDUKM-ja opozitare në të gjitha paraqitjet në opinion gjatë vitit 2023, ka thënë se fajtor për dështimin evropian është Qeveria, e cila, sipas saj, ka pranuar “marrëveshje të dëmshme me Bullgarinë që cenon identitetin maqedonas”.

Hristijan Mickovski, kryetari i OBRM-PDUKM-së dhe kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se partia e tij “pas fitores në zgjedhje” do të arrijë të sigurojë marrëveshje me të favorshme dhe pa kushte të reja nga Bullgaria, që do t’i hapin rrugën procesit integrues.

Sipas Simodina Kacarskas, nga Instituti për Politika Evropiane, viti 2024 do të jetë i vështirë për Maqedoninë e Veriut në sferën e integrimit evropian.

“Viti 2024 do të jetë jo stabil, do të jetë një vit i vështirë për ne për shkak të zgjedhjeve, pasi e dinë se në vitet zgjedhore nuk kemi performanca shumë të mira. Në muajin mars, në BE do të merren vendime të reja, para se të formohen organet e reja, por duke marrë parasysh se edhe këtu te ne nuk kemi qeveri politike, nuk pritet asgjë sa i përket integrimit tonë në BE. Pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në BE, ne duhet të vazhdojmë me politikën e ndërtimit të raporteve me të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, vlerëson Kacarska.

Përveç ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut po përballet edhe me sfida tjera, siç janë korrupsioni dhe gjyqësori i pareformuar që mund të jetë pengesë serioze në rrugën drejt BE-së.

Komisioni Evropian (KE) në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut kishte plot vërejtje serioze lidhur me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, por edhe kritika për ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

Më të zëshëm me kritikat për korrupsionin e lartë dhe ndërhyrjen e politikës në punën e gjyqësorit ishin diplomatët amerikanë.

Gjatë vitit 2023, Departamenti amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar zgjerimin e listës edhe me zyrtarë të tjerë që dyshohen për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Profesori i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, Bashkim Selmani, thotë se krimi dhe korrupsioni janë një “plagë e vjetër” për Maqedoninë e Veriut.

Ai rikujton se institucionet në vazhdimësi kanë thënë se prioritet e kanë luftimin e këtyre dukurive, e kështu kanë premtuar se do të jetë edhe në vitin 2024, por pa një presion më të madh, në veçanti nga BE-ja, vështirë se do të mund të priten rezultate, sipas tij.

“Ne flasim për krim dhe korrupsion, por nga ana tjetër shohim shumë pak lëndë gjyqësore që janë iniciuar për luftimin e këtyre dukurive ose nuk janë proceduar, pra janë lënë qëllimisht që të vjetërsohen. Që gjërat të lëvizin duhet të ketë një trup të veçantë institucional apo juridik, një angazhim nga BE-ja ngjashëm siç bëri në Bullgari dhe Rumani. Pra, do të ishte mirë që BE-ja të insistonte më shumë në luftimin e tyre pasi pa veprime të fuqishme besoj se akoma do ta kemi të njëjtin problem”, vlerëson Selmani.

Sikur në vitin 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut edhe në vitin 2023 ishte joefikas në punën e tij për shkak bllokimeve të ndryshme nga ana e opozitës, andaj kjo bëri që shumica parlamentare shumë ligje t’i miratojë me procedurë të shkurtuar, sikurse Ligjin për lojërat e fatit dhe atë për ndryshimet në Kodin Penal, për faljen e zyrtarëve të korruptuar.

Miratimi i ligjeve me përdorimin e “yllit evropian” (procedurë përshpejtuar), shkaktoi reagime të shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë pasi kjo formë e miratimit të akteve ligjore mund të përdoret vetëm kur kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Lajme
​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

Lajme
Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Kronika e Zezë
Flet shqiptari që vrau gruan: Nuk pendohem, hante me paratë e mia dhe më tradhtonte

Flet shqiptari që vrau gruan: Nuk pendohem, hante me paratë e mia dhe më tradhtonte

Lajme
Kalo në kategori