LAJMI I FUNDIT:

Ndotja e ajrit: Gjendja e jashtëzakonshme – këto janë pasojat dhe si mund t’i shmangim ato!

Ndotja e ajrit: Gjendja e jashtëzakonshme – këto janë pasojat dhe si mund t’i shmangim ato!

Ndotja e ajrit është prezentë kudo në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. E qytetarët e saj janë të rrezikuar nga kjo ndotje e nivelit të lartë.

Ky përkeqësim i gjendjes thuhet të ketë ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të pa favorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikur që janë: mjegulla e dendur, shpejtësia e erës, lagështia e lartë e ajrit, shtypja atmosferike dhe temperaturat e ulëta.


Profesori i shkencave natyrore, Zeqir Veselaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndotja e ajrit është prezentë krejt kohën, pavarësisht lëvizjeve të parametrave të caktuar lart-poshtë dhe gjatë sezoneve të vitit.

Këto dy muajt e fundit sipas tij, është hera e parë që cilësia e ajrit të Prishtinës po matet paralelisht dhe nën të njëjtat standarde.

“Këtu po flitet vetëm për thërrmijat e imta PM 2.5, thërrmija këto të cilat nuk kanë asnjë aftësi t`i ndalin barrierat mbrojtëse të organeve të frymëmarrjes dhe prandaj shkojnë direkt në mushkëri. Ky fakt e bën shumë të lartë ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut. Por logjikisht, edhe parametrat e tjerë të ndotjes që përcjellin PM2.5 gjithashtu janë të lartë”, tha profesori Veselaj për Telegrafin.

Mirëpo, ai tha se tejkalimet e parametrave ndotës po i raportojnë edhe Agjencia e Mjedisit, Ambasada e SHBA-së, Komuna e Prishtinës, aty ku po monitoron edhe Instituti i Shëndetit Publik.

Gjithashtu Veselaj tha se Prishtina nuk është qyteti më i ndotur në botë, sepse sipas tij, ka të tilla shumë herë më të ndotura.

“Ato nuk maten me këtë rrjet të Indeksit që po i referohemi. Mirëpo, pozicionimi stabil i Prishtinës sa i përket indeksit të cilësisë së ajrit, respektivisht të PM2.5, herë në krye, e herë ndër qytetet më të ndotura është në vetvete lajm alarmant. Këto netët e fundit edhe pa matje në orët e pikut të ndotjes vërehet djegia e fytit”, tha ndër të tjera ai.

Ai bëri të ditur se me ligjin për mbrojtjen e ajrit është Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e obliguar që të shpallë gjendjen e alarmit.

“Deri sot kjo nuk ka ndodhur. Po të shpallej pragu i alarmit, Ministria do kishte gjithë ingerencat e marrjes së masave emergjente në drejtim të burimeve të ndotjes së ajrit: burimeve kolektive dhe individuale, institucionale dhe biznesore, burimeve të lëvizshme dhe të palëvizshme. Për momentin kemi vetëm raportime të shumta, dhe një vendim qeverie për masat rreth situatës, por rezultatet eventuale nuk kemi”, thotë ai duke shtuar se institucionet qendrore e lokale duhet të punojnë shumë për të evituar situatat të ngjashme në të ardhmen.

“Modele ka, programe ka, vetëm duhen masa institucionale e financiare për zbatimin e tyre”, tha ai.

Ndërsa, Ass dr. Skender R. Baca, mr.sci. pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive, ka thënë në një prononcim për Telegrafin se ndotja e ajrit është me reperkusione të mëdha në shëndetin e njeriut.

Sipas tij, ndotja fillon me atakimin e sistemit respirator (gazet e përbëra nga komponentët e sulfurit,azotit) pastaj ndikimi i plumbit që gjendet në gazet e liruara nga automjetet (nga djegia e benzinës dhe naftës) në gjak dhe shkaktimi i helmimeve kronike.

I pyetur nga Telegrafi se sa është i rrezikshëm për mushkëritë ndotja e ajrit, ai tha: ”Për mushkëritë që drejtpërsëdrejti janë në kontakt me ambientin e jashtëm, rreziku është primar dhe më i shprehur duke filluar nga shkaktimi i Sëmundjeve Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) e cila për pasojë ka invaliditet të përhershëm dhe shkurtim të jetëgjatësisë. Pastaj kjo ndotje shkakton përkeqësimet (ekzacerbimet) e shpeshta të sëmundjeve tjera kronike siç është Astma, Sarkoidoza, Alveoliti Alergjik të cilat implikojnë hospitalizime të shpeshta dhe të gjata”.

Sipas tij, kategoritë më të rrezikuar janë : fëmijët, moshat e mëdha dhe shtatzënat.

“Sepse bëhet fjalë për kategoritë të cilat kanë nevojë për imunitet të lartë dhe stabil”.

Pulmologu Baca tha se kanceri mushkëror është në rritje në tërë botën e po ashtu edhe në Kosovë.

“Ndotja e ajrit do të ketë edhe efektet e saja afatgjate sepse çdo dëmtim i shëndetit tani reperkutohet në të ardhmen, për këtë edhe klasifikimi i këtyre entiteteve patologjike bëhet në grupin e sëmundjeve kronike”, ka thënë Baca për Telegrafin.

Mirëpo, Pulmologu Skender Baca i dha edhe disa këshilla se si duhet të mbrohen sado pak nga ajri i ndotur.

“Duhet filluar që nga mos dalja e panevojshme gjatë fluksit të madh të automjeteve në qytet, të shfrytëzohet koha e lirë duke shëtitur në natyrë (p.sh. Gërmi). Të përdoren rregullisht antioksidantët (në formë ushqimesh: pemët, perimet, çaji i gjelbër. Apo në formë preparatesh: tabletare: vitamina C,D,E), të përdoren ushqime të shëndetshme të freskëta duke iu larguar atyre të konzervuara dhe patjetër për çdo ditë të pihen nga 1 deri 2 gota qumësht i cili e eliminon plumbin nga organizmi ynë”, tha sss dr. Skender R. Baca, mr.sci. pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive.

Ndryshe, nga matja e fundit që është bërë sot në orën 16:00, nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, vlera e ndotjes ka arritur në 162 dhe konsiderohet e pashëndetshme. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Lajme
Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Lajme
Operacioni i SPAK, RENEA ‘zbarkon’ në vilat e bosëve të krimit, ngjiten me shkallë

Operacioni i SPAK, RENEA ‘zbarkon’ në vilat e bosëve të krimit, ngjiten me shkallë

Lajme
Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Kronika e Zezë
Vjosa Osmani në Clinton Global Initiative në Bullgari

Vjosa Osmani në Clinton Global Initiative në Bullgari

Lajme
Kalo në kategori