LAJMI I FUNDIT:

Ndihmohen mbi 1 mijë familje dhe 26 komplekse banesore për efiçiencë, kërkohet kursim i energjisë

Ndihmohen mbi 1 mijë familje dhe 26 komplekse banesore për efiçiencë, kërkohet kursim i energjisë

Është mbajtur konferenca përmbyllëse e projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë (SEEK)”, projekti ky i zbatuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës dhe i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) prej të cilit kanë përfituar më shumë se 1 mijë ekonomi familjare dhe 26 ndërtesa banesore për masat e efiçiencës së energjisë.

Në përmbylljen e projektit SEEK u prezantuan edhe gjetjet e këtij projekti, të cilat synojnë të ndihmojnë institucionet e Kosovës të formësojnë investimet e ardhshme në efiçiencë të energjisë elektrike.


Përmes SEEK është synuar zvogëlimi i konsumit të energjisë elektrike në sektorin e banimit duke pilotuar subvencione dhe stimulime të tjera për ekonomitë familjare për të investuar në masa të efiçiencës së energjisë.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku u shpreh se si qeveri e kuptojnë rëndësinë për efiçiencë të energjisë elektrike, prandaj siç tha ai, edhe kanë shtuar vëmendjen në këtë sektor.

Mjeku tha se krahas projekteve konkrete që ndikojnë në kursim të energjisë, ky sektor po konsolidohet edhe me reforma legjislative.

“Shembulli që e kemi para vetës me projektin SEEK mundohemi të vazhdojmë edhe si Qeveri përmes projekteve të ndara që investojmë në efiçiencën e energjisë. Kemi një projekt të investimit në objektet publike pikërisht për të mundësuar efiçiencën e energjisë, gjithashtu edhe masën e ndihmave në komuna, në objekte të shkollave dhe objekte publike, e para në vlerë 2 milionë, e dyta 7.5 milionë. Së fundmi, po punojmë intensivisht të lansojmë një skemë mbështetëse, projekt të subvencioneve për amvisëritë, për shtëpitë, banesat në mënyrë që ta kalojmë sa më lehtë dimrin. Që ta lehtësojmë barrën në sektorin e energjisë në Kosovë do të ndajmë 6 milionë euro për pajisje efiçiente dhe prej këtyre 6 milionë euro do të jenë qytetarët që do të përfitojnë drejtpërdrejt por edhe tërthorazi duke parë që do të zvogëlojnë shpenzimin e energjisë pa pasur nevojë të sakrifikojmë nevojat e përditshme”, tha Mjeku.

Kryeshefi i Fondacionit të Mileniumit të Kosovë, Petrit Selimi u shpreh se projekti SEEK është investimi më i madh i MCC në Kosovë, përmes të cilit janë 11 milionë euro për pilotimin e mënyrave sesi familjet kosovare mund të kursejnë energjinë elektrike.

Ai tha se nga ky projekt kanë përfituar mbi 1 mijë familje dhe mbi 20 hapësira banesore.

“Ky është investimi më i madh i MCC-së në Kosovë deri më sot. Diku mbi 11 milionë euro janë ndarë për një pilotim të mënyrave se si familjet kosovare mund të kursejnë rrymë se si familjet kosovare mund të keni shtëpi më efiçiente dhe të testohen mënyra se si pastaj Qeveria e Kosovës dhe institucionet kosovare të arrijnë që atë hendekun e madh që ekziston midis prodhimit dhe shfrytëzimit të mbulohet jo vetëm me investime në gjenerim, por edhe me investime në kursim. Sot jemi para juve me një rezultat prej mbi 1 mijë shtëpive në mbarë Kosovën të rinovuara plotësisht me teknologji të ndryshme e masa të ndryshme prej izolimit të mureve e deri te pompa termike, subvencione solare e të tjera. Si dhe mbi 20 objekte banesore shumëkatëshe në gjashtë qytete të Kosovës”, tha Selimi.

Projekti SEEK, sipas Sarah Olmstead e cila është drejtoreshë e MCC-së në Kosovë ka ndihmuar qytetarët të rrisin vetëdijen për kursimin e energjisë.

Sipas saj, edhe tek kompanitë ndërtuese është ngritur vetëdija për të përdorur materiale efiçiente për energjinë.

“Kjo e ka ngritur vetëdijen lidhur me opsionet e ndryshme lidhur me gjërat që kanë efekt në efiçiencë të energjisë. Dritaret, izolimi, ngrohja e ujit janë gjëra thelbësore stabilimentet elektronike që kanë efiçiencë më të lartë. Shpresoj se kjo ka ndihmuar që njerëzit të mbulojnë gjërat kryesore. Gjithashtu projekti ka ofruar mjete jo vetëm për pronarët e shtëpive jo vetëm në aspektin e materialeve të nivelit të lartë të efiçiencës por edhe në aspekt të trajnimit të sektorit privat në mënyrë që kompanitë të mund të shesin materiale, të informojnë njerëzit për ato materiale që të rrisin vetëdijen tek qytetarët dhe konsumatorët”, u shpreh Olmstead.

Drejtori menaxhues i operacioneve sektoriale në MCC, Kevin Mitchell tha se falë këtij projekti Kosova është e pozicionuar mirë për të zgjeruar programet e efiçiencës të energjisë. Sipas tij, kriza globale me energjinë është treguesi më bindës për investimet në efiçiencë të energjisë elektrike.

“MCC dëshironte të ndihmonte qeverinë për të identifikuar programin më efektiv për Kosovën. Përmes projektit ‘SEEK’ ne kemi rinovuar rreth 1,000 shtëpi përmes tre granteve të ndryshme. Me çdo grant, ne kemi bërë përmirësime dhe me çdo përsëritje kemi përfshirë atë që kemi mësuar për atë që ishte më efektive. Ne jemi të lumtur që tani po ia përcjellim këto njohuri qeverisë dhe partnerëve të tjerë që punojnë për efiçiencën e energjisë, dhe mezi po presim të dëgjojmë për planet tuaja dhe hapat e ardhshëm në këtë sektor emocionues. Ne jo vetëm që po japim një sërë mësimesh, megjithëse, gjatë zbatimit të programit të kërkimit, MFK dhe kontraktori i saj, GFA, rritën një rrjet mbresëlënës kompanish që kanë certifikuar dhe trajnuar kompanitë për të bërë efiçiencën e energjisë. Ata zhvilluan një platformë online për të menaxhuar këtë program dhe ata realizuan një fushatë mbresëlënëse ndërgjegjësuese për efiçiencën e energjisë. Këto asete dhe mjete konkrete nënkuptojnë se Kosova është e pozicionuar mirë për të zgjeruar programet e Efiçiencës së Energjisë në të ardhmen”, u shpreh Mitchell.

Ndërsa, drejtori i departamentit për Energji pranë GFA Consulting Group GmbH, Ulrich Theuerkauf u shpreh se përmes projektit SEEK Kosova ka krijuar bazë të mirë që qytetarët të jetojnë në mënyrë me efiçiente.

“Rryma që ka shkaktuar turbulenca në tregun ndërkombëtar të energjisë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, vërtetoi se sa e rëndësishme është futja, zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë, dhe të gjithë e dini se ndërtimi në Kosovë është një nga shpenzuesit kryesorë të energjisë në vend. Pavarësisht gjithë këtyre sfidave, ne si konsorcium së bashku me partnerët tanë arritëm dhe ia dolëm, mund të them tani me krenari në emër të konsorciumit tonë se ky projekt ka krijuar një bazë për të ecur përpara, që Qeveria e Kosovës të ndiejë mbështetjen e përpjekjeve për financimin e efiçiencës energjetike për qytetarët e vendit, që të jetojnë në mënyrë më efiçiente. Për më tepër, së bashku me MFK-në, ne krijuam një shtysë të fortë për gratë ndërmarrëse në Kosovë”, theksoi Theuerkauf.

Tri pakot kryesore të këtij projekti që ka nisur para tri viteve kanë qenë: Rinovimet për efiçiencë të energjisë në njësi të banimit, rinovimet për efiçiencë në objekte shumëbanesore dhe gratë ndërmarrëse në energji.

Violeta Rexha specialiste për përfshirje gjinore dhe sociale tha se ky projekt ka pasur impakt në rritjen e interesimit të bizneseve për të përfshirë gratë në fushën e energjisë.

Sipas saj, ky projekt ka ndihmuar të kemi mjaft gra të kualifikuara.

“Fillimisht kur e kemi dizajnuar këtë program kemi pasur hezitime se a do të jetë të gatshmet bizneset të ofrojnë praktika për punë për gratë dhe vajzat e Kosovës. Ky program, i pari në Kosovë e që lidhej energjia dhe gratë dhe kur kemi lansuar programin atëherë kemi kërkuar nga kompanitë e interesuara të shprehin interesin përmes një platforme dhe kemi qenë të befasuar për të mirë për interesimin e madh të institucioneve dhe bizneseve për të pasur gra të kualifikuara në bizneset e tyre”, theksoi ajo.

Projekti “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë (SEEK)” ka nisur së zbatuari në Kosovë në vitin 2019 nga konsorciumi i kompanive gjermane GFA dhe HPC. /KP/