LAJMI I FUNDIT:

Ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës

Ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës
Ilustrim

Nga: Moikom Zeqo

Në Greqinë e lashtë arkitekti u njoh si “mjeshtër-ndërtues” (“archi-tekton”). Arkitektura u konsiderua “nëna” e arteve vizuale, meqë piktura dhe skulptura u zhvillua shpesh në kontekstin e një projekti ndërtimi, për shembull në formën e muraleve ose të dekoracioneve. Madje, pikturat e shpellave të kultit magjik shërbyen si zbukurime për banesat. Ndryshe nga format e tjera të artit, qëllimi parësor i arkitekturës ishte të përmbushte nevojën bazë njerëzore për siguri. Ndërtesat jepnin mbrojtje prej motit dhe kafshëve të egra. Kështu, është pothuaj e pamundur t’i shmangesh dëshmisë së veprimtarisë së ndërtimit aty ku njerëzit banonin.


Sidoqoftë, nevojat shpirtërore dhe intelektuale kanë gjithashtu për të lozur një rol kur vjen puna te ndërtimi. “Katër muret” dhe “çatia mbi kokën e tij/saj” e ndajnë një qenie njerëzore prej mjedisit rrethues dhe si pasojë krijojnë diçka me proporcione njerëzore individuale. Ndërtesat gjithashtu ndryshojnë mjedisin e jashtëm në të cilin ato ngrihen: kopshti, fshati dhe qyteti janë mjedise artificiale të shkëputura nga natyra. Kështu, mund të hamendësohet shumë rreth personit përgjegjës për një ndërtesë prej mënyrës se si paraqitet marrëdhënia midis pjesës së brendshme dhe të jashtme të ndërtesës. A ka ndërtesa mure të trasha të padepërtueshme apo mure të tejdukshme prej xhami? A krijojnë hyrjet, shkallët e jashtme, oborret e jashtme apo gardhet një ndjenjë hapjeje apo largësie?

Ngrihen gjithnjë disa pyetje të tjera: Kush i porosit ndërtesat? Kush i ndërton ato? Për kë dhe për çfarë qëllimi u ndërtuan? Çfarë farë forme marrin ato dhe ç’materiale u përdorën? Jo të gjithë ndërtesat janë punë të lavdërueshme që synojnë të të bëjnë përshtypje me madhësinë, vëllimin, stilin dhe detajin e tyre dekorativ.

Megjithatë, të gjitha ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës së tyre, ose të paktën atë të njerëzve që i porositën ato dhe të arkitektëve që i projektuan ato.

Më tepër se çdo krijim tjetër njerëzor, një ndërtesë përfaqëson kontekstin social: ndërtesa është një akt social, i cili pothuajse gjithmonë zë vend në arenën sociale. Ajo është një veprimtari e shtrenjtë dhe si rrjedhim është e varur prej fuqisë dhe pasurisë.

Pra, ndërtimet e përpunuara tregojnë shumë për njerëzit dhe veprimtaritë e rëndësishme, për grupet sunduese në një shoqëri të dhënë.

Nuk është e rastit që ndërtesat fetare lozin një rol të rëndësishëm në historinë e arkitekturës. Siç ka treguar historia, feja përmbush atë çka është mundësisht nevojë më e rëndësishme shpirtërore e njeriut, p.sh. nevojën për t’i dhuruar një kuptim (më të lartë) mbi ekzistencën, për të shpjeguar të pakuptueshmen dhe të padurueshmen, për të siguruar perspektiva të një drejtësie më të lartë për gabimet e pashlyera dhe të ofrojë rehatinë e jetës së vazhdueshme, rilindjen apo ringjalljen pas vdekjes.

Kështu, përveç sigurimit të strehës për njerëzit, që nga kohët e lashta banesat janë ndërtuar gjithashtu edhe për zotat. Duke u mbajtur me pozicionin e lartësuar të këtyre të fundit, këto ndërtesa priren të jenë më të qëndrueshme dhe më impresive se sa ato të ngritura për të vdekshmit e thjeshtë.

Si me qytetërimet e tjera të përparuara, pak mbetën prej banesave të zakonshme të ndërtuara prej egjiptianëve të lashtë. Të vetmet relike të ruajtura arkitekturale të Mbretërisë së Vjetër janë varret që shërbyen si vende të adhurimit.

Ekzistenca e Egjiptit varej prej Nilit, përmbytjet vjetore të të cilit linin pas një shtresë lymi pjellor dhe, duke mos qenë shkatërruese, ishin si pasojë jetëdhënëse. Botëvështrimi i njerëzve që jetonin nga kjo rrjedhë e qetë u përcaktua nga ky cikël i përhershëm. Vdekja shihej si një kalim te një formë tjetër jete dhe ky kalim ishte, sidoqoftë, i mundshëm vetëm nëse trupi mbetej i paprekur. Kështu, u bënë përpjekje të mëdha për të ruajtur kufomat.

Më e madhja, natyrisht, u rezervua për trupin e faraonit, mbreti që njihej si një perëndi. Truri dhe të brendshmet u hoqën nga kufoma, e cila më pas përgatitej për varrim (nga kjo e kanë origjinën mumiet e famshme). Ushqimi dhe dhuratat e tjera u futën në varr. Për më tepër, muret e vendit të flijimit u zbukuruan me relieve të skenave të korrjes dhe dhurata flijuese në rastin kur “furnizimi” tretej.

Përkundër një sfondi të kushteve të pandryshueshme rituale dhomat e tjera u ndërtuan shpesh rreth dhomës së flijimit në mënyrë që personi i vdekur të mos privohej prej nivelit të tij/saj të rehatisë. Dhomat e flijimit u ndërtuan gjithnjë në bregun më të lartë perëndimor të Nilit përmbi dhomën e vërtetë të varrimit, që ishte fshehur thellë në shkëmb.

Shtëpi të tëra, pallate dhe madje qytete, në të cilat personi i vdekur kishte banuar, shpesh u riprodhuan. Kështu varri i faraonit Zoser, i ndërtuar në Sakara midis viteve 2780 dhe 2680 para Krishtit u konceptua si një riprodhim i pallatit të faraonit në Memfis, një bllok kompakt me gur gëlqeror të shkallëzuar apo me mure tulle. Pesë blloqe kënddrejta të dimensioneve zvogëluese u vendosën në majë të superstrukturës (mastaba) së Zoserit, siç u njohën këta varre prej blloqesh, kështu që kulla arriti një lartësi prej afro 60 metra.

Shkaku për ta vënë prapa hyrjes së piramidës mund të ketë qenë për të dhënë më tepër siguri për varrin (dhe për të garantuar që kufoma të mos shqetësohet), ose për ta bërë varrin më të rëndësishëm. Fakti që prej atëherë varret e faraonëve u bënë monumente mund të shpjegohet ndoshta nga një dëshirë për t’i dhënë një formë vizuale simbolizmit fetar: piramida e shkallëzuar përfaqësonte një shkallare të cilën faraoni i vdekur e ngjiste për të arritur qiellin.

Gjatë shekullit të tretë para Krishtit, faraonët nisën të shihen si bij të Diellit, zotit Ra, dhe adhurimi për Diellin u bë feja zyrtare.

Piramidat, të cilat kishin përftuar ndërkohë një plan katror dhe mure të jashtme të lëmuara, si Piramida e Gizës kishin kolona të ndritshme të veshura me një shtresë prej guri gëlqeror dhe me shtresë ari (të dyja këto veçori u zhdukën nga gërryerja e kohës). Ato simbolizonin rrezet e diellit mbi të cilat besohej se faraonët ishin dërguar te perëndia Ra.

Në fillim të Mbretërisë së Vjetër, dhomat me tavane të cilët nuk mund të mbështeteshin vetëm mbi mure u mbështetën mbi shtylla të thjeshta katrore pa themele dhe kapitele.

Gjatë erës së Piramidave të shekullit të tretë para Krishtit këto shtylla u zëvendësuan nga kolona me kapitele të zbukuruara të frymëzuara nga zambaku, papirusi dhe pema e palmës. Kjo veçori projektimi, e zhvilluar më tepër për kult se sa për arsye strukturore, synoi të përçojë një kuptim të madhështisë dhe të vlerës së përjetshme dhe u bë një veçori tipike e ndërtesave në Egjiptin e Lashtë.

Arkitektura e Mbretërisë së Re, një periudhë e veprimtarisë së begatë arkitekturore që zgjati prej vitit 1570 deri në vitin 715 para Krishtit, u dominua nga komplekset e kultit aksial me salla të mëdha me kolona, të ngjashme me ato të zbuluara në tempullin mortor të Deir el Baharit.

Tempujt e procesionit në luginën e Nilit u gdhendën në shkëmbinj në perëndim të Thebes dhe më të famshmit janë Tempujt e Amonit në Luksor dhe Karnak. Ato na tregojnë se perspektivat fetare dhe filozofike të arkitektëve projektues u influencuan nga peizazhi rrethues natyror. Kullat e pjerrëta të hyrjes, të njohura si pilons (shtylla), e mbajnë hyrjen në të njëjtën mënyrë që faqja e shkëmbit e rrethon Nilin. Obeliskët dhe statujat monumentale qëndrojnë përballë hyrjes.

Prapa kësaj është një paraoborr i rrethuar nga vargje kolonash që të çojnë përmes një paradhome në një sallon të madh hipostyl (i varur), i mbushur dendur me kolona, kapitelet prej bimësh të të cilave të kujtojnë bimësinë përreth Nilit. Kompleksi përfundon me një dhomë të ngushtë, të thellë (“më e shenjta”) që përmban një imazh të zotit për të cilin tempulli është dedikuar si një shtëpi (tempujt e gdhendur në shkëmbinj ishin të ngjashëm përgjithësisht në strukturë).

Kur Mbretëria e Re e rriti begatinë, gjithnjë e më shumë paraoborre dhe kolona u shtuan përballë atyre ekzistuese. Procesionet që kaluan këto shtylla të shtuara në mënyrë të përsëritur u shumëfishuan pra prej kohës së tyre më tej në të kaluarën e madhe të vendit të tyre, roli i dalluar i të cilëve në zhvillimin e racës njerëzore përfundoi së mbrami me pushtimin e tij prej Aleksandrit të Madh në vitin 332 para Krishtit. /Gazeta “Dita”/