LAJMI I FUNDIT:

Ndërron jetë mjeshtri i madh i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi

Ndërron jetë mjeshtri i madh i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi

Besim Zekthi, mjeshtri i valleve popullore, është ndarë sot nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë. Ishte mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”. Ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë, Shqipërisë, në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besim Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tonë tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP-së, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore. Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shëngjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, “Valle e Kukësit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle myzeqare”, “Vjelja e mollëve” etj.

Në vitin 2017, për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”. /atsh/