LAJMI I FUNDIT:

Ndërron jetë aktori Sulejman Dibra

Ndërron jetë aktori Sulejman Dibra

Ka ndërruar jetë, në moshën 75-vjeçare, aktori i mirënjohur Sulejman Dibra. Ai ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak.

Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve në Shkollën e Lartë për Aktor, “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë në vitin 1966, rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni”. Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë, si: “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj.


Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë do të jetë ai partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços, agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril”, rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri””, rolin e Drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e gjeneralit turk në filmin “Nëntori i dytë” etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, ai i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”.

Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. Ka qenë i martuar me pianisten Anita Tartari me të cilën kishte Eni – pianiste e njohur.

Për meritat e tij artistike, në vitin 2006 është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.