LAJMI I FUNDIT:

Ndalimi i Bitcoin dhe jo vetëm: Këto janë vendet ku kriptovalutat janë “të kufizuara ose të paligjshme”

Ndalimi i Bitcoin dhe jo vetëm: Këto janë vendet ku kriptovalutat janë “të kufizuara ose të paligjshme”

Bitcoin ka qenë një temë e diskutueshme që nga fillimi paraqitjes në vitin 2009, ashtu si edhe kriptovalutat e mëvonshme që pasuan pas saj.

Ndërsa kritikohet gjerësisht për paqëndrueshmërinë e saj, përdorimin e saj në transaksione të liga dhe për përdorimin e tepruar të energjisë elektrike për ta “nxjerrë” atë, Bitcoin po shihet nga disa, veçanërisht në botën në zhvillim, si një “port i sigurt gjatë stuhive ekonomike”.

Por ndërsa më shumë njerëz u drejtohen kriptove si një investim ose si një mjet shpëtimi, këto çështje janë përballur me një sërë kufizimesh në përdorimin e tyre.

Sidoqoftë, siç shkruan Euronews, përcjell Telegrafi, statusi ligjor i Bitcoin dhe valutave alternative të Bitcoin ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend, ndërsa në disa, marrëdhënia mbetet për t’u përcaktuar siç duhet ose po ndryshon vazhdimisht.

Dhe ndërsa shumica e vendeve nuk e bëjnë të paligjshëm përdorimin e vetë Bitcoin, statusi i tij si mjet pagese ose si mall që ndryshon me implikime të ndryshme rregullatore.

Kështu, disa vende kanë vendosur kufizime në mënyrën se si mund të përdoret Bitcoin, me bankat që ndalojnë klientët të bëjnë transaksione me kriptovaluta.

Vende të tjera e kanë ndaluar përdorimin e Bitcoin dhe kriptovalutave tjera me gjoba të rënda për këdo që kryen transaksione kripto.

Më poshtë ua sjellim vendet që kanë një marrëdhënie veçanërisht të tensionuar me Bitcoin dhe kriptovalutat tjera:

Algjeria

Algjeria aktualisht ndalon përdorimin e kriptovalutës pas miratimit të një ligji financiar në vitin 2018 që e bëri të paligjshme blerjen, shitjen, përdorimin ose mbajtjen e valutave virtuale.

Bolivia

Ekziston një ndalim i plotë i përdorimit të Bitcoin në Bolivi që nga viti 2014. Banka Qendrore Boliviane nxori një rezolutë që e ndalon atë dhe çdo monedhë tjetër që nuk rregullohet nga një vend apo zonë ekonomike.

Kina

Kina ka goditur kriptovalutat me intensitet në rritje gjatë vitit 2021.

Zyrtarët kinezë kanë lëshuar vazhdimisht paralajmërime për njerëzit e saj që të qëndrojnë larg tregut të aseteve dixhitale dhe kanë shtrënguar ashpër “minierat” në vend, si dhe shkëmbimet e monedhës në Kinë dhe jashtë saj.

Më 27 gusht, Yin Youping, zëvendësdrejtor i Byrosë Financiare për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit të Bankës Popullore të Kinës (PBoC), iu referua kriptove si asete spekulative dhe paralajmëroi njerëzit të “mbronin xhepat e tyre”.

Kolumbia

Në Kolumbi, institucionet financiare nuk lejohen të ofrojnë transaksionet me Bitcoin.

Superintendencia Financiera paralajmëroi institucionet financiare në vitin 2014 se ata nuk mund të “mbrojnë, investojnë, ndërmjetësojnë ose menaxhojnë operacionet e parave virtuale”.

Egjipti

Dar al-Ifta e Egjiptit, organi kryesor këshillimor islamik i vendit, nxori një dekret fetar në vitin 2018, duke i klasifikuar transaksionet e Bitcoin si “haram”, diçka e ndaluar sipas ligjit islamik, përcjell Telegrafi.

Ndonëse nuk janë të detyrueshme, ligjet bankare të Egjiptit u shtrënguan në shtator 2020 për të parandaluar tregtimin ose promovimin e kriptove pa licencë të Bankës Qendrore.

Indonezia

Banka e Indonezisë, banka qendrore e vendit, nxori rregullore të reja që ndalojnë përdorimin e kriptovalutave, duke përfshirë Bitcoin, si një mjet pagese nga 1 janari 2018.

Irani

Bitcoin ka një marrëdhënie komplekse me regjimin iranian.

Për të shmangur ndikimin më të keq të sanksioneve ekonomike gjymtuese, Irani është kthyer në praktikën fitimprurëse të “nxjerrjes” së Bitcoin për të financuar importet.

Ndërsa Banka Qendrore ndalon tregtimin e kriptovalutave të “nxjerra” jashtë shtetit, ajo ka inkurajuar “minierat e Bitcoin” në vend me stimuj.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, rreth 4.5 për qind e “minierave të Bitcoin” në botë ndodhin në Iran, i cili, sipas firmës analitike të blockchain Elliptic, mund të përbëjë të ardhura mbi 1 miliardë dollarë (843 milionë euro).

Në mënyrë që industria e kriptove të lulëzojë, Irani u ka ofruar “minatorëve të licencuar” energji të lirë, por kërkon që të gjitha kriptovalutat e “nxjerra” t’i shiten Bankës Qendrore.

Megjithatë, të palicencuarit nxjerrin më shumë se 2 GW nga rrjeti kombëtar çdo ditë, duke shkaktuar mungesë të energjisë.

Për këtë qëllim, autoritetet iraniane lëshuan një ndalim katër mujor të “mihjes” së Bitcoin deri më 22 shtator.

India

India po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj kriptovalutave.

Më 23 nëntor, qeveria njoftoi synimin e saj për të prezantuar një projekt-ligj të ri në parlamentin indian, i cili do të krijonte një monedhë të re dixhitale të mbështetur nga banka qendrore, si dhe do të ndalonte pothuajse të gjitha kriptovalutat.

Në fillim të këtij viti, ajo kishte konsideruar kriminalizimin e posedimit, emetimit, minierave, tregtimit dhe transferimit të aseteve kripto.

Kryeministri Narendra Modi tha se donte të sigurohej që kriptovalutat “të mos përfundojnë në duar të gabuara, të cilat mund të na prishin rininë”.

Iraku

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga autoritetet për të bllokuar përdorimin e tyre, kriptovalutat po bëhen gjithnjë e më të njohura në Irak.

Banka Qendrore e Irakut ka qenë veçanërisht armiqësore, duke lëshuar një deklaratë në vitin 2017 duke ndaluar përdorimin e tyre, e cila është ende në fuqi deri në ditët e sotme.

Në fillim të vitit 2021, Ministria e Brendshme e qeverisë rajonale të Kurdistanit lëshoi udhëzime të ngjashme për të ndaluar ndërmjetësimet e parave dhe shkëmbimet që trajtojnë kriptomat.

Nepali

Banka Rastra e Nepalit e shpalli Bitcoin të paligjshëm që nga gushti 2017.

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut është i vetmi vend evropian deri më tani që ka një ndalim zyrtar të kriptovalutave, si Bitcoin, Ethereum dhe të tjera.

Rusia

Ndërsa kriptovaluta nuk është e jashtëligjshme në Rusi, ekziston një konflikt i vazhdueshëm që po zhvillohet kundër përdorimit të saj.

Rusia miratoi ligjet e saj të para për rregullimin e kriptove në korrik 2020, i cili për herë të parë caktoi kriptovalutën si pronë që i nënshtrohet taksave.

Ligji, i cili hyri në fuqi në janar të këtij viti, ndalon gjithashtu nëpunësit civilë rusë të zotërojnë çdo aset kripto.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka lidhur vazhdimisht kriptovalutën me aktivitetin kriminal, duke bërë thirrje për vëmendje më të madhe në veçanti ndaj transaksioneve të kriptove ndërkufitare.

Në korrik, prokurori i përgjithshëm njoftoi legjislacionin e ri të propozuar, i cili do t’i lejonte policisë të konfiskojë kriptovalutat që konsiderohen se janë marrë në mënyrë të paligjshme duke përmendur përdorimin e tyre në ryshfet.

Turqia

Shumë në Turqi iu drejtuan kriptovalutave pasi lira turke ra ndjeshëm në vlerë. Me disa nga nivelet më të larta të përdorimit kudo në botë, ardhja e rregulloreve ishte e shpejtë këtë vit pasi inflacioni arriti kulmin në prill.

Më 16 prill 2021, Banka Qendrore e Republikës së Turqisë nxori një rregullore që ndalonte përdorimin e kriptovalutave duke përfshirë Bitcoin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për të paguar mallra dhe shërbime.

Të nesërmen, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shkoi më tej dhe nxori një dekret që shkëmbimet e kriptove në një listë firmash që i nënshtrohen rregullave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Vietnami

Banka Shtetërore e Vietnamit ka deklaruar se emetimi, furnizimi dhe përdorimi i Bitcoin dhe kriptove të tjera janë të paligjshme si një mjet pagese dhe janë subjekt i dënimit me gjoba që variojnë nga 150 milion VND (5,600 €) deri në 200 milion VND (7,445 €).

Megjithatë, qeveria nuk e ndalon tregtimin e Bitcoin ose mbajtjen e tyre si asete.

Kosova

Ndërsa mbajtja ose tregtimi i aseteve të kriptomonedhave nuk është ende i ndaluar në Kosovë, qeveria njoftoi një ndalim të “minierave të kriptove”.

Sipas Euronews, Kosova po përballet me mungesë të energjisë me ndërprerjet e planifikuara të energjisë që po bëhen tani për të kursyer energjinë.

Në një përpjekje të mëtejshme për të frenuar humbjen e energjisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi një ndalim afatgjatë të “minierave të kriptove” në vend.

Dhe policia është ngarkuar të zbatojë ndalimin si dhe të identifikojë vendndodhjet e tyre në të gjithë vendin. /Telegrafi/