Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, një person i plagosur

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur gjatë natës në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 02:00.
“Rreth orës 02:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore”, ka deklaruar Pllana.
Sipas tij, nga të dhënat fillestare dyshohet se një person është lënduar nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast është i lënduar një person, që dyshohet nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ai.
Pllana ka bërë të ditur se njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit. /Telegrafi/





































