LAJMI I FUNDIT:

NASA financon zhvillimin e stacioneve të reja hapësinore, përzgjidhen tri kompani

NASA financon zhvillimin e stacioneve të reja hapësinore, përzgjidhen tri kompani

Agjencia amerikane hapësinore e njohur si NASA, ka përzgjedhur tri kompani që do të marrin para të majme nga qeveria amerikane për zhvillimin e kompanive private hapësinore.

Nga 11 kompanitë, NASA ka përzgjedhur kompanitë si Blue Origina, Nanorack LCC dhe Northrop Grumman, që do të marrin mbi 400 milionë dollarë nga autoritetet federale për tri marrëveshje të ndryshme, transmeton Telegrafi.


NASA kërkoi propozime në korrik për programin e saj CLD (Commercial Low Earth Orbit Development), që ka për qëllim të përkrah zhvillimin e stacioneve private hapësinore.

Kjo gjithashtu ka për qëllim të zëvendësojë stacionin ndërkombëtar hapësinor me ato komerciale. Përmes këtij modeli, NASA do të ishte kliente e industrisë hapësinore komerciale dhe do t’i mundësonte të zvogëlojë shpenzimet dhe të fokusohet më shumë në hulumtime.

Blue Origin do të marrë 130 milionë dollarë për zhvillimin e stacionit Orbital Reef në bashkëpunim me kompaninë Sierra Space, që më herët prodhoi aeroplanin hapësinor Dream Chaser. Nga kompania Blue Origin thonë që stacioni do të jetë operacional deri kah viti 2027.

Në anën tjetër, Nanorack LCC do të marrë 160 milionë dollarë për zhvillimin e koncept stacionit Starlab. Është një projekt i përbashkët me kompanitë Voyager Space dhe Lockheed Martin, e stacioni do të dizajnohet për katër astronautë që kryejnë hulumtime biologjike, të materialeve dhe projekte të ngjashme. Lansimi i këtij stacioni gjithashtu planifikohet të ndodhë në vitin 2027.

E Northrop Grumman i përkasin 125,6 milionë dollarë për zhvillimin dhe shfrytëzimin e stacionit komercial, duke përdorur teknologjinë ekzistuese siç është fluturakja hapësinore Cygnus, që aktualisht përdoret për transportimin e mallrave në ISS. Northrop bashkëpunon me Dynetics në konceptin e stacionit hapësinor modular, e në të ardhmen në projekt do të bashkohen edhe disa partnerë. /Telegrafi/