LAJMI I FUNDIT:

Nafta zgjeron humbjet, investitorët shqetësohen për ngadalësimin e rritjes ekonomike

Nafta zgjeron humbjet, investitorët shqetësohen për ngadalësimin e rritjes ekonomike

Për të tretën ditë me radhë, edhe sot çmimet e naftës po qëndrojnë në nivele të ulëta.

Investitorët janë të shqetësuar se rimëkëmbja ekonomike nga pandemia COVID-19 do të dëmtohet nga vendimet e shumë vendeve evropiane për të pezulluar përkohësisht vaksinën e AstraZeneca.


Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e dy sesioneve më parë, për shkak të rritjes së rezervave në SHBA dhe shqetësimeve për rimëkëmbjen e kërkesës, pasi Gjermania, Italia, Franca dhe shumë vende evropiane ndaluan përkohësisht përdorimin e kësaj vaksine, përcjell Scan.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane (WTI) po tregtohet në rreth 64.5 dollarë për fuçi. Germania, Franca dhe Italia njoftuan pezullimin e injeksionit të AstraZeneca, pas raportimeve se mund të ketë efekte serioze anësore, pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë të dhënë që e vërteton këtë.

Këto vendime po rrisin shqetësimet mbi hapin e ngadaltë të vaksinimit në Bashkimin Evropian, që mund të pengojë rimëkëmbjen e ekonomisë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervat e naftës vijuan rritjen për shkak të të ftohtit të madh muajin e kaluar, që detyroi shumë kompani të ndalojnë operacionet. Megjithatë, analistët dhe investitorët po presin të dhënat e Institutit Amerikan të Naftës mbi rezervat gjatë javës së kaluar, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. /Telegrafi/