Masa të reja në Kroaci - kufizohet sasia e blerjes së karburantit

Kompanitë kroate, INA dhe Petrol kanë vendosur kufizime për sasinë e karburantit që mund të blihet në pikat e tyre të karburantit, pasi në publik kanë dalë informacione për çmime të reja të mundshme, sipas të cilave karburanti pritet të shtrenjtohet ndjeshëm të martën, veçanërisht nafta.
“Të nderuar dhe të respektuar klientë, ju njoftojmë se nga 24 korriku 2026 vendoset një kufizim i përkohshëm i shitjes së karburantit, i cili do të jetë në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm. Në përputhje me vendimin e marrë, sasia maksimale e karburantit për një furnizim është: 300 litra për furnizim. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e vendosur në një nga pikat e karburantit të INA-s.
Sipas portalit kroat Regionalexpress, në pikën e karburantit të Petrolit në rrugën Mutilska në Pula, nga sot ka hyrë në fuqi kufizimi i përkohshëm i shitjes së karburantit, shkruan index.hr.
As kompania Petrol nuk ka bërë të ditur arsyen e vendosjes së kufizimit, ndërsa në njoftimin për klientët ka falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Sipas modelit aktual të llogaritjes së çmimeve, një litër Eurosuper 95 pritet të shtrenjtohet me 11 centë, duke arritur çmimin e ri prej 1.65 euro për litër.
Rritja më e madhe pritet për Eurodizelin, i cili me një shtrenjtim prej 22 centësh do të kushtojë 1.81 euro për litër.
Ndërkohë, çmimi i dizelit blu pritet të rritet me 24 centë, duke arritur në 1.26 euro për litër. /Telegrafi/





































