LAJMI I FUNDIT:

Nafta mbi 51 dollarë për fuçi

Nafta mbi 51 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës ranë në sesionin e ditës së Mërkurë, prej shqetësimeve të rritjes së prodhimit në Libi dhe shtimit të inventarëve të benzinës në SHBA.

Nafta brent e Londrës qëndroi në 51.64 dollarë për fuçi gjatë hapjes së sesionit, në rënie me 0.4%. Nafta bruto amerikane (WTI), ra me 0.5% në 47.59 dollarë për fuçi.

Aktiviteti në Libi nisi ditën e Martë pas një pezullimi në fushën më të madhe të naftës në vend, megjithatë paqëndrueshmëria tregon se prodhimi mund të jetë i luhatshëm.

Rritja e prodhimit në Libi sjell shqetësime për Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), që ka premtuar për të ulur prodhimin deri në Mars të 2018-ës.

Takimi i radhës i OPEC për të diskutuar paktin mbi prodhimin do të zhvillohet më datë 22 Shtator.

Në SHBA, inventarët e naftës bruto ranë me 3.6 milionë fuçi gjatë javës që kaloi, në 465.6 milionë, raportoi Instituti Amerikan i Naftës. Megjithatë, inventarët e benzinës u rritën me 1.4 milionë fuçi, ndërkohë që analistët prisnin rënie.

Të dhënat zyrtare mbi inventarët priten më vonë gjatë ditës nga Administrata e Informacionit mbi Energjinë. /Telegrafi/