LAJMI I FUNDIT:

“Muzikë edhe për ata që nuk dëgjojnë”

“Muzikë edhe për ata që nuk dëgjojnë”

“Muzika në ditët e sotme më shumë shikohet se sa dëgjohet” – fjali kjo që shpesh e dëgjojmë në tregun e muzikës referuar ‘derexhës’ fatkeqe në të cilën ajo ndodhet sot, pa e ditur që kjo fjali ‘vret’ ata të cilët vërtetë nuk e dëgjojnë, por nga nevoja vetëm mund ta shohin.

Të jesh nga ata nuk është fatkeqësi – ata vërtetë janë ndryshe, janë më specialë, sepse po të duash të bësh muzikë për ta, lakuriqësia, ekplicizmi e ofshamat nuk bëjnë punë – atëherë në fuqi hyn “gjuha e shenjave”.


Në fakt ekziston edhe një komunitet i veçantë të cilët fatkeqësisht muzikën nuk e shijojnë dot, pasi për ta nevojitet një interpretim i veçantë, e ndërsa këngëtarët që kanë menduar për këta të fundit, janë shumë të paktë.

Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër, Telegrafi ka përgatitur një artikull të veçantë duke sjell rrëfimet e personave që nuk dëgjojnë, si dhe performancat artistike shqiptare që ndër vite u janë kushtuar atyre, duke praktikuar gjuhën e shenjave.

Java e fundit e shtatorit njihet si java dedikuar personave të shurdhër në mbarë botën

Megjithëse performanca të tilla mund t’i numërosh në gishta, këngëtarët shqiptarë kanë premtuar se në të ardhmen synojnë të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Në një intervistë për Telegrafin, Nebih Cakaj, një nga drejtorët e Shoqatës Kosovare të Personave të Shurdhër (SHKSH), tha se i vjen keq që komuniteti i këtyre personave nuk ka aspak përfshirje në ngjarjet kulturore, siç rëndom ndodh në rajon.

“Personat e shurdhër në Kosovë nuk janë të përfshirë aspak në jetën kulturore nëse flasim për jetën kulturore në përgjithësi, por në kuadër të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve dhe shoqatave lokale personat e shurdhër organizojnë disa aktivitete kulturore siç janë maskenballin tradicional. Vlen të theksohet se në të kaluarën në katër shoqatat lokale të të shurdhërve kanë ekzistuar ansamblet e tyre të valleve dhe se këto ansamble janë shuar për shkak të mos-përkrahjes nga ana e institucioneve të Kosovës. Personat e shurdhër në Kosovë janë të përjashtuar totalisht nga agjenda kulturore, përderisa nëpër botë kemi edhe teatro të të shurdhërve si dhe festivalet e teatrove të të shurdhër, festivalet e filmit për të shurdhër si dhe shumë shtete ofrojnë shfaqje të përkthyera në gjuhën e shenjave, kemi edhe këngëtarë të shurdhër (në gjuhën e shenjave) të cilët kanë arritur edhe majat ndërkombëtare sikurse reperi i famshem nga Finlanda, Marko Vuoriheimo i njohur si Signmark. Po ashtu kemi edhe artisten e njohur Marlee Matlin e cila ka fituar çmime në festivale etj. Po ashtu vlen të përmendet se disa vende të rajonit ofrojnë edhe shfaqje në gjuhën e shenjave dhe gjithashtu u kanë ofruar mundësi personave të shurdhër që të performojnë. Në Kosovë kemi disa persona të shurdhër të cilët nga pasioni i tyre merren me pikturë por askush nga institucionet nuk kanë ofruar hapësirë që aftësitë e tyre të ekspozohen”, ka thënë Cakaj.

Nebih Cakaj (Foto: SHKSH/Facebook)

I njëjti ka thënë në vazhdimin e bisedës se jo me doemos kërkon nga të gjithë artistët që të përdorin gjuhën e shenjave në performancat artistike, por të paktën të ketë herë pas here ndërgjegjësim edhe për personat që nuk dëgjojnë, të cilët nuk janë të paktë në shoqërinë tonë.

“Unë nuk kisha me thënë se artistët doemos duhet të përdorin gjuhën e shenjave në video klipet e tyre, por ata mund të përfshijnë persona të shurdhër apo interpret të cilët do të bënin të mundur që këngët e tyre të interpretoheshin edhe në gjuhën e shenjave. Shumë shfaqje teatrale mund të interpretohen në gjuhën e shenjave dhe të jenë të qasshme edhe për personat e shurdhër dhe përveç përkthimit unë do të thoja se përfshirja e vet personave të shurdhër në shfaqje (duke pasur parasysh se gjuha e shenjave është vizuale dhe shumë elemente të kësaj gjuhe e bëjnë më të lehtë përfshirjen e personave të shurdhër). Pra të kërkohen talent të rinj të shurdhër dhe tu ofrohet mundësia që edhe ata të shprehin talentin e tyre. Shembujt më të mirë dhe praktikat më të mira mund t’i marrim edhe nga vendet e rajonit. Thjesht duhet vullneti i institucioneve që të ofrojnë qasje dhe mundësi për pjesëmarrje”, ka potencuar më tej drejtuesi i SHKSH, Nebih Cakaj për Telegrafin.

Pavarësisht mungesës së performancave të tilla, nuk mund të thuhet se nuk ka pasur asnjëherë tentativë që të bëhet muzikë për personat që nuk dëgjojnë.

Telegrafi në vazhdim ju sjell disa performanca të veçanta të artistëve shqiptarë, të cilët kanë prakitkuar gjuhën e shenjave.

Adelina Thaçi – Po u mërzite

Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Adelina Thaçi-Meta, në vitin 2013 kishet pasur një paraqitje dinjitoze në festivalin Kënga Magjike 2013 me këngën “Po u mërzite”, ku ishte shpërblyer edhe me çmimin “Çesk Zadeja”.

Ajo në përfundim të performancës, kishte bërë një interpretim të veçantë në gjuhën e shenjave, duke iu drejtuar komunitetit të shkurdhër me shprehjet se kënga ishte një dedikim i veçantë edhe për ta.

“Në fakt kënga është punuar njëherë vetëm këngë për festivalin Kënga Magjike, dhe ka mesazhin të cilin e ka…por nuk është punuar për dedikim të personave të veçantë. Por unë pasi e incizova këngën, e ndjeva thellë, ishte moment i imi në shtëpi, kur unë ndjeva njëfarë s’di si ta quaj “një pëshpërimë” apo muzë që më foli, dhe thash me vete: Po këta që janë me nevoja të veçanta si të jua interpretoj një diçka që neve artistëve na bën me u ndje mirë, qoftë tingulli apo teksti, dhe krejt papritur lindi kjo ideja, dhe pastaj jam konsultuar me kompozitorin dhe tekstshkruesen, Armendin e Aidën, që a mundem unë këtë këngë me dy fjali tua bëj një përshëndetje e t’ju jap një mesazh. Ata ishin më se të pajtimit, dhe pastaj unë kam kërkuar njeriun adekuat për gjuhën e shenjave, i kam mësuar fjalët të cilat i kam thënë, duke dashur të jua bëj me dije, se unë po këndoj edhe për ju, ne mendojmë për ju. Ne si komunitet duhet të bëjmë hala më shumë për ta. 2. Për këtë jam më se krenare që kam arritur sado pak të jap për ta, kjo më ka bërë mirë të ndjehem, se sa çmimin që mora”, tha Adelina Thaçi për Telegrafin.

Adelina Thaçi duke interpretuar me gjuhën e shenjave në Kënga Magjike 2013 (Foto: Kënga Magjike/YouTube)

Por çfarë duhet të bëjmë ne më shumë në këtë drejtim?

Këngëtarja Thaçi ka një sugjerim për të gjithë artistët shqiptarë se si mund të përkushtohen për t’i ndalë në ndihmë këtij komuniteti në përgjithësi, pasi muzika është e të gjithëve.

“Duhet të bëjmë më shumë, secili me artin e vet mund të bëjë diçka të veçantë për ta, pastaj mendoj që duhet mu interesu me pa se si jetojnë, si ia dalin, çfarë aktivitete zhvillojnë apo si e kanë një ditë ata, në mënyre që edhe ndihma në çka do tjetër të nevojshme të iu ofrohet! Të gjithë fansave që flasin këtë gjuhë i përshëndes shumë, duke iu uruar më të mirën për ta, dhe se besoj që do të ketë dedikime tjera për ta, dhe si shenjë respekti, do të mundohem me mësu më shume gjuhën e tyre, sepse më pëlqen jashtëzakonisht shprehja përmes gishtërinjve”, përfundon Adelina Thaçi për Telegrafin, mesazhin e saj për fansat.

Yllka Kuqi – Jeton në mua

Në vitin 2017, këngëtarja nga Gjakova, Yllka Kuqi, solli një këngë me tematikë të ndjeshme dedikuar të gjitha nënave, teksa në klipin e saj grumbulloi disa artistë të njohur duke u nisur nga “bilbili i muzikës shqipe”, Nexhmije Pagarusha, e deri te aktorët Ylber Bardhi, Adriana Matoshi e këngëtarët: Leonora Jakupi dhe Genc Prelvukaj.

Po të shikosh me vëmendje klipin e kësaj kënge, vëren se aktorët Ylber Bardhi dhe Adriana Matoshi bëjnë një interpretim të gjuhës së shenjave, duke transmetuar te publiku kuptimin e vërtetë të këngës.

Yllka aso kohe në një intervistë të dhënë për Telegrafin, kishte rrëfyer se si kishte lindur ideja për krijimin e kësaj kënge të veçantë.

“Është një projekt i nisur nga emocionet dhe përvoja personale të autores së tekstit, Mubera Krijezi, dhe mua sigurisht, ndaj vendosëm ta ndajmë këtë pjesë të shtrenjtë tonën edhe me të tjerët”, kishte thënë Yllka për Telegrafin.

Interpretim në gjuhën e shenjave nga Ylber Bardhi dhe Adriana Matoshi në klipin “Jeton në Mua” (Foto: Yllka Kuqi/YouTube)

Ndërsa tani këngëtarja Kuqi jep një mesazh sensibilizues për të gjithë fansat e muzikës së saj, duke kërkuar që të jenë të drejtë me çdo komunitet dhe person në këtë botë.

“Të gjithë ndjejmë njësoj, pavarësisht dallimeve dhe paaftësive që mund t’i kemi”, është mesazhi i Yllka Kuqit.

Flaka Krelani – A ka kuptim

Këngëtarja Flaka Krelani njihet si artiste e cila gjithmonë revoltohet me të vërtetën e hidhur të vendit, dhe këtë më së miri e shpreh në këngë.

Ajo vite më parë kishte publikuar klipin “A ka kuptim”, një këngë me klip, në të cilin ishte interpretuar gjuha e shenjave nga Zana Preniqi, e ndërsa falë saj i gjithë mesazhi i këngës u transmetua edhe tek personat që nuk na dëgjojnë.

Flaka për Telegrafin tregon se nga e kishte marrë inspirimin për të bërë një performancë të tillë.

“Duke u nisur nga vetja, duke qenë se jam ithtare e këngëve që kanë një kuptim shumë të veçantë, të finalizuara me tekste të mrekullueshme, kam dëshirë që ato të dëgjohen dhe të ndihen shpirtërisht. “A ka kuptim“ ka një tekst shumë të thellë, që përfshin shumë tema të cilat janë aktuale, reale dhe të dhimbshme në të njëjtën kohë, flitet pa doreza dhe në momentin e parë që është incizuar kënga, në atë moment vetëm i kam hequr kufjet dhe i kam thënë Xhimit (vëllait): Videoklipi duhet të xhirohet ‘One Shoot’ me personin i cili e flet gjuhën e shenjave, sepse dua që njerëzit që nuk na dëgjojnë, ta kuptojnë dhe ta ndjejnë këngën ashtu siç të gjithë të tjerët kanë të drejtën. Dhe mbas dy dite kemi xhiruar menjëherë klipin. Dua të falënderoj Zana Preniqin me këtë rast, e cila ka pranuar pa hezitim ftesën për të qenë pjesë e klipit në mënyrë që ta interpretojë gjuhën e shenjave”, tha Flaka Krelani për Telegrafin.

Interpretim në gjuhën e shenjave nga Zana Preniqi në klipin “A ka kuptim” të Flaka Krelanit (Foto: Flaka Krelani/YouTube)

E pyetur se çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri dhe ata si artistë për t’u dalë në ndihmë këtyre personave, Flaka thotë se nevojitet një vetëdijësim i popullit.

“Aftësia e kufizuar është një koncept kompleks, dhe duke qenë si i tillë unë mendoj që gjithçka fillon nga ndërgjegjja jonë…! Të japim kujdesin e duhur, të jemi sa më afër tyre, t’i përkrahim, t’i duam, t’i respektojmë, t’i dhurojmë atë se për çfarë ata kanë nevojë. Nevoja e tyre është t’i kuptojnë gjërat ashtu siç i kuptojmë ne, e kjo bëhet duke punuar sa më shumë me ta dhe për ta. Ne si artistë, nuk duhet hezituar të bëjmë projekte për ta. Mendoj që duhet të ketë performanca të tilla sa më shumë. Përshembull, realizim i këngëve dhe klipeve ku përfshihen personat të cilët interpretojnë gjuhën e shenjave, në mënyrë që personat të cilët nuk kanë mundësinë të na dëgjojnë, të paktën të kuptojnë këngën se për çfarë po flitet, të ndjejnë tekstin, të krijojnë melodinë sipas iluzioneve të tyre duke u bazuar në esencën e poezive ( teksteve ) tona. Duhet organizuar më shumë shfaqje, koncerte ‘live’, duke ua dedikuar çdo performancë atyre. Mua më vjen jashtëzakonisht shumë keq se si ka akoma familje që e mohojnë ekzistencën e tyre, mirëpo ata nuk kanë faj, por ka faj paragjykimi që bëhet tek ne me termat më të gabuara të mundshme. Nuk dua t’i përmend termet pasi që secili prej nesh e dimë se me çfarë emra etiketohen, është e dhimbshme. Ne nuk jemi askush t’i paragjykojmë e sidomos duke qenë të vetëdijshëm që asnjëri nga ne nuk është perfekt. Shkollimi është një e drejtë themelore njerëzore, thelbësore, për arritjen e të gjithë të drejtave njerëzore. Në këtë kuadër, ai duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë njerëzit pa dallim. Akoma sot, fëmijë me një numër jashtëzakonisht të madh, nuk kanë akses në arsimim. Përse këta fëmije nuk janë prezentë në shkollë? Edukimi i një vendi fillon nga vetë-edukata e atyre që kanë post, prandaj i kemi punët siç i kemi. Por ne si artistë, nuk duhet lejuar që të na përfshijë ky sistem “i lodhur“, por duhet me u zgju dhe me luftu për të drejtat e secilit prej njerëzve që e thithin oksigjenin dhe energjinë e këtij vendi! Nuk na kushton asgjë, dhe nuk i bën “ata“ më pak të pasur, nëse iu realizohen dy apo tri herë në muaj ndonjë organizim recital, koncert, teatro, çfarë do që mund t’i bëj ata të lumtur”, ka thënë tutje Flaka.

Në përfundimin e këtij rrëfimi për Telegrafin, këngëtarja nga Gjakova jep një mesazh special për të gjithë ata fansa që kanë mundësinë ta dëgjojnë dhe kuptojnë muzikën e saj, përfshirë këtu edhe komunitetin e personave të shurdhër.

“Unë dua të ju them se, në shumë momente të jetës sime kanë qenë ata të cilët më kanë bërë të dua edhe më shumë jetën, të jem e lumtur me atë çfarë kam, ta dua edhe ta vlerësoj edhe më shumë vetën. Më kanë dhënë motiv në momente kur më ka munguar, më kanë dhënë dashuri dhe inspirim atëherë kur kisha më së shumti nevojë. Unë ju dua shumë, faleminderit që më kompletoni, faleminderit që i jepni kuptim jetës sime. Faleminderit që ekzistoni. Zoti ju bekoftë”, ka përfunduar Flaka për Telegrafin.

Eranda Libohova dhe Xhesi – Në zemër të mbaj

Një nga performancat shqiptare më të veçanta me gjuhën e shenjave është edhe ajo e këngëtares Eranda Libohova dhe Xhesit në Kënga Magjike 2016.

Dyshja në fjalë së bashku me dy nxënës të Institutit të Nxënësve të Shurdhër në Tiranë kishin realizuar një interpretim të veçantë, ku çdo fjali e tekstit të kësaj kënge ishte përkthyer në gjuhën e shenjave për ata që nuk dëgjojnë.

Me të fituar çmimin në natën finale të këtij kompeticioni, Eranda ishte shprehur e ngazëllyer për këtë performancë tejet të veçantë që kishte arritur të realizonte bashkë me Xhesin.

“Dua të falënderoj Olsin dhe Gretën, këta dy fëmijë të mrekullueshëm, të cilët pas çdo performance më ngarkonin emocionalisht nuk e di në një gjendje jashtëzakonisht pozitive”, ishte shprehur këngëtarja Eranda Libohova.

Interpretim në gjuhën e shenjave nga Olsi dhe Greta gjatë interpretimit të këngës “Në zemër të mbaj” nga Eranda Libohova dhe Xhesi në Kënga Magjike 2016 (Foto: Kënga Magjike/YouTube) 

Ashtu siç edhe titulli thotë, kënga iu dedikohet të gjithë njerëzve të kësaj bote me shprehjen e thjeshtë “Në zemër të mbaj”.

…SEPSE EDHE UNË “DËGJOJ”…

Në përfundimin e këtij artikulli, drejtuesi i SHKSH, Nebih Cakaj jep një mesazh sensibiliues në emër të komunitetit duke falënderuar në radhë të parë artistët e mësipërm për performancat e veçanta që ua kanë dedikuar atyre.

“Klipet në fjalë janë të interpretuara edhe në gjuhën e shenjave kanë një impakt shumë pozitiv si në komunitetin e të shurdhërve dhe gjithë shoqërinë në përgjithësi. Po ashtu kjo tregon se edhe gjuha e shenjave mund të përcjell mesazhin, emocionin dhe nuancat tjera”, thotë Nebih Cakaj.

Nebih Cakaj – drejtor në Shoqatën e Personave të Shurdhër Në Kosovë dhe interpretues i gjuhës së shenjave (Foto: SHKSH/YouTube)

Dhe për fund sigurisht është mesazhi që duhet të bëjë të reflektojë secilin nga njerëzit e shoqërisë tonë, duke ndikuar në vetëdijësimin ndaj personave me nevoja të veçanta, në rastin konkret, të atyre që nuk dëgjojnë.

Mesazh: “Ofrimi i mundësive të barabarta që edhe personat e shurdhër të kenë qasje në aktivitete kulturore dhe në muzikë. Por duke mos harruar se nëse shoqëria do t’ua jep mundësinë edhe vet personat e shurdhër do të ofrojnë shumë art sepse deri më tani ata janë një botë e pazbuluar dhe kanë shumë për të ofruar. Le ta bëjmë artin dhe kulturën pjesë e cila na bashkon dhe e cila na mundëson komunikimin në mes nesh” – Nebih Cakaj.

Përderisa me muzikë jetojmë çdo ditë në një botë që s’mund ta imagjinojmë pa zë, atëherë tingujt duhet të jenë për të gjithë, duke u kujdesur që të ofrojmë “muzikë edhe për ata që nuk dëgjojnë”. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Uroi çiftin për lindjen e vajzës gjatë spektaklit të Big Brother, Kiara Tito i reagon Ledion Liços

Uroi çiftin për lindjen e vajzës gjatë spektaklit të Big Brother, Kiara Tito i reagon Ledion Liços

Magazina
Oriola Marashi e

Oriola Marashi e "ndezë" rrjetin, pozon me të brendshme duke i lënë fare pak vend imagjinatës

Magazina
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Xhensila si duket mori trauma nga rrëzimi në skenë, bëri veprimin e papritur në koncertin e saj më të fundit

Xhensila si duket mori trauma nga rrëzimi në skenë, bëri veprimin e papritur në koncertin e saj më të fundit

Magazina
“Më la pa gjumë”, Ilnisa flet për herë të parë për takimin me Meritonin

“Më la pa gjumë”, Ilnisa flet për herë të parë për takimin me Meritonin

Magazina
Erjola zbulon produksionin për situatën e Eglës? Çfarë tha që i reagoi menjëherë stafi i BBVA-s?

Erjola zbulon produksionin për situatën e Eglës? Çfarë tha që i reagoi menjëherë stafi i BBVA-s?

Magazina
Kalo në kategori