LAJMI I FUNDIT:

Muzeu i Bernës heton origjinën e artit të dhuruar

Muzeu i Bernës heton origjinën e artit të dhuruar

Muzeu i Arteve të Bukura në Bernë ka nisur hetimet për origjinën e veprave më të rëndësishme që i janë dhuruar nga një koleksionist, e po ashtu edhe për mënyrën se si ato kanë arritur të jenë në koleksionin e tij.

Kur zvicerano-braziliani Georges F. Keller filloi t’i dhuronte këtij muzeu piktura nga mjeshtër të tillë si Henri Matisse dhe Salvador Dali, ai njihej si tregtar i respektuar i artit. Keller ia dhuroi 116 vepra muzeut – përfshirë “Bluzën blu” të Matisse (1936) – mes viteve 1950 dhe 1981, kur ai vdiq.


Vitin e kaluar, megjithatë, një hulumtues i muzeut gjeti një dokument arkivor, i cili sugjeron lidhje mes Kellerit dhe nazistëve.

“Është përgjegjësia jonë të hetojmë me saktësi dhe të verifikojmë edhe një herë se si këto vepra që na i dhuroi Georges F. Keller, në një mënyrë shumë bujare, kanë arritur të jenë në koleksionin e tij”, ka thënë Nina Zimmer, drejtoreshë e Muzeut të Arteve të Bukura në Bernë.

Sipas dokumenteve arkivore të botuara nga Biblioteka Frick e Referencës së Artit, Keller kishte qenë partner biznesi me Etienne Bignou, një francez që tregtonte vepra arti me gjermanët në Parisin e pushtuar nga nazistët. Keller dhe Bignou punuan së bashku në Paris në galerinë Georges Petitit, e cila specializohej në veprat impresioniste derisa u mbyll në vitin 1933.

Bignou më pas ngriti galerinë e tij në kryeqytetin francez me Kellerin si partner, i cili gjithashtu kishte kombësinë franceze. Sipas dokumenteve, Keller më vonë u bë drejtor i degës së Nju Jorkut në galerinë Bignou.

Për Muzeun e Bernës, dhurimet me lidhje të mundshme me nazistët nuk janë gjë e re. Në një rast tjetër të ngjashëm, muzeu u përpoq t’ua kthente thesaret pronarëve të tyre të ligjshëm. /AFP/