LAJMI I FUNDIT:

Musine Kokalari do ta nderonte çdo komb

Musine Kokalari do ta nderonte çdo komb

Nga: Meri Lalaj

Musine Kokalari: me poezitë që ka lënë pas, me shkrimet kritike, me skicat letrare, me përrallat dhe folklorin e mbledhur, ajo është një shkrimtare e kompletuar, një shkrimtare që do të nderonte çdo komb të kësaj toke. Musinea është shkrimtarja e parë shqiptare. Ishte nxënëse në Institutin “Kyrias” deri në vitin 1933, pastaj vijon mësimet në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjatë vitit shkollor shkruan dhe boton vazhdimisht me pseudonimin “Muza”. Në vitin 1938, ndjek studimet për letërsi në një universitet të Romës. Pas një viti boton librin “Siç më thotë nënua plakë…”, vijon me libra të tjerë dhe mbron diplomën me studimin “Naim Frashëri”. [1]


Kur u kthye në Tiranë nga studimet, punoi për një kohë, pikërisht aty ku kishte qenë nxënëse, në Institutin Femnor “Nana e Skënderbeut” – tashmë emri i ndryshuar i Institutit “Nana Mbretneshë”

Në fillim të vitit 1942, Musinea merr pjesë në lëvizjen antifashiste, së pari në Romë dhe më tej në Tiranë. Në vitin 1943, boton shpesh në revistën “Gruaja Shqiptare” me pseudonimin “Tacitta”. Po në këtë vit është nismëtare për formimin e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. Ajo do të kishte qenë një politikane për t’u patur zili. Punoi në librarinë “Venus” të vëllezërve të saj, e cila u bë një qendër e rëndësishme intelektuale. Gjatë vitit 1944, shkroi studime gjuhësore, grumbulloi dhe sistemoi këngë, legjenda, përralla nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Botoi “Reth vatrës” dhe “Sa u tunt jeta”.

Njerëz të shquar të kulturës shqiptare dhe të huaj kanë vlerësuar lart punimet e saj. Ajo ka mbajtur letërkëmbim me albanologë të huaj dhe disa figura të letërsisë shqipe.

Më 12 nëntor 1944, forcat partizane i pushkatojnë dy vëllezërit e saj, të cilët ishin intelektualë, patriotë dhe demokratë të vërtetë. Nga vrasja e vëllezërve ajo tronditet shumë, duke kuptuar fytyrën e vërtetë të pushtetit që po vinte në fuqi. Musinea kundërshton vendosjen e pushtetit popullor dhe arrestohet dy herë nga data 13 deri më 28 nëntor. Kritikoi shkeljet e para të demokracisë nga Partia Komuniste Shqiptare për zgjedhjet e para pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Kështu bashkohet me forca të tjera politike të “Koalicionit Demokrat”. Musinea e shkroi programin e partisë dhe e tregoi veten si një politikane shumë të zonjën. Kundërshton zgjedhjet e para dhe arrestohet më 23 nëntor 1946. E ndodhur para gjyqit ushtarak tok me 36 persona të tjerë, ajo nuk pranoi avokat, por qëndroi plot dinjitet krenare, e bukur përballë gjykatësve të pashpirt, ashtu e veshur me të zeza, me sharpin sterrë të zi në kokë, në shenjë zie për vëllezërit e pushkatuar dhe fjalët e saj ishin mbresëlënëse:

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim. Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!” [2]

Dënohet me 30 vite burg; më vonë ia ulin dënimin në 20 vite dhe bën 18 nëpër burgje të ndryshme të Shqipërisë duke provuar edhe tortura nga më çnjerëzoret. Pjesën tjetër të jetës e kalon e internuar në Rrëshen ku nuk i flet askush me gojë, punon në ndërtim, bujqësi, fshin rrugët e qytetit. Shëtit e vetmuar dhe lexon tërë kohës. Përndiqet nga spiunët e Sigurimit të Shtetit; është e kontrolluar në çdo hap që bën. Në fund të jetës sëmuret me kancer, gjatë lëngimit të rëndë i mohohet edhe ndihma mjekësore. Një javë para vdekjes shkruan në fletoren e shënimeve:

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 18 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike.” [3]

Musine Kokalari vdiq e vetmuar në Rrëshen. Siç më ka rrëfyer mjekja Marta, e cila punonte në Rrëshen, Musineja ndërroi jetë të premten, nuk e varrosën të shtunën, sepse nuk donte njëri nga punëtorët e komunales, ndërsa e diela ishte pushim. Kur vajtën të hënën, trupi i saj kish pësuar kafshime nga minjtë, që vinin rrotull. Trupin e saj e hodhën në një karrocë të komunales dhe e përcollën dy varrmihës. Në 19 janar 1991, të afërmit e çvarrosën për ta sjellë në Tiranë dhe thuhet se ia kishin lidhur duart, ato duar që dinin të shkruanin vetëm libra me vlerë.

Në vitin 1993, Musinea dekorohet “Martire e Demokracisë”; në vitin 2000, shpallet “Qytetare Nderi” e Gjirokastrës. Bashkia e Tiranës i ka vënë emrin e saj një shkolle 9 vjeçare. Në vitin 2008, Musine Kokalarit i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Humbja e Musinesë është një humbje shumë e madhe për kombin. Studiues të biografive të Enver Hoxhës dhe Musine Kokalarit kanë vënë në dukje duke shkruar se: “Diktatura u hakmor egërsisht ndaj kësaj intelektualeje shqiptare, sepse ajo kishte refuzuar propozimin e Enverit për t’u martuar.”

Shkëputur nga libri “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”

[1] Novruz Xh. Shehu, libri “Musine Kokalari” Vepra Vëllimi i parë, fq. 50-51.
[2] Blendi Fevziu, libri “Enver Hoxha”
[3] Blendi Fevziu, libri “Enver Hoxha”