Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që të mbledh mbi 100 milionë euro nga borxhet e trashëguara ndër vite, e që ka shënuar rritje prej 42 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Këto të dhëna janë bërë publike në një konferencë për media, ku janë prezantuar rezultatet e aktiviteteve për mbledhjen e borxheve, me theks të veçantë aktivitetet për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj.

Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, tha se në janar kanë pasur një stok të borxhit prej 376 milionë eurosh, sipas tij, sot është rreth 355 milionë euro, apo 21 milionë euro borxhe më pak.

“Deri më tani, nga borxhi i trajtuar janë inkasuar 101 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të inkasimit të borxhit për 30 milionë euro ose 42 për qind. ATK do të vazhdojnë mbledhjen e borxheve të reja dhe borxheve tjera të pa-paguara, me theks të veçantë mbledhja e gjobave mandatare dhe konfiskimin e pasurisë për tatimpaguesit që kanë borxhe të pa shlyera. Me këtë ATK është duke përmbushur edhe rekomandimin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha Murtezaj.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Operacioneve, Nijazi Asllani, shpalosi të dhënat të cilat janë të ndërlidhura me të arriturat e lartpërmendura.

Ai tha se për periudhën janar-nëntor 2019, raste e iniciuara për konfiskim janë mbi 250, ndërsa rastet me veprime konkrete për konfiskim janë 136 që në krahasim me vitin 2018 kemi rritje të konsiderueshme.

“Si rezultat i këtyre aktiviteteve janë duke u trajtuar 73.5 milionë euro, përmes marrëveshjeve për pagesën e borxhit me këste, që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 40 milionë euro ose 119.2 për qind.

Veç këtyre gjatë kësaj konference, Asllani njoftoi se janë duke u zhvilluar edhe tre aksione për konfiskimin e pasurisë, në tri lokacione të ndara, ku vlera e borxhit të tyre 150 mijë euro.

Po ashtu, ATK njoftoi është duke punuar në zbatimin e Planit Afatmesëm të Veprimit 2019-2021 për modernizimin e Administratës Tatimore, konkretisht konsolidimi mbledhjes së detyrueshme.

Në mbyllje të konferencës u potencuar se fokusi i ATK-së vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas legjislacionit tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore. /Telegrafi/