Muriqi rrëfen ditët më të rënda: S’kam mundur të fle 3-4 ditë… dëshira më e madhe e jetës sime shkoi
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur hapur për përjetimet pas humbjes në finalen e “playoff”-it kundër Turqisë, e zhvilluar më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në një intervistë për Klan Kosovën, Muriqi tregoi se është prekur rëndë edhe nga akuzat që iu bënë nga një tifoz, i cili e akuzoi për “shitje të lojës”, duke theksuar se e ka menduar edhe rrugën ligjore.
“Kurrë nuk kam reaguar për kritika, por për akuza të këqija për një lojtar si unë për një kosovar që e ka shpirtin deri në gjakun e fundit kosovar që ka dhënë shumë për shtetin e vet që ka kontribuar në aspektin brenda fushës, por edhe jashtë fushë që ka kontribuar familja e vet që ka çuar ushtar në UÇK prej familjes së vet Muriqve, unë s’di o duhet me qenë o i pashpirt o provokator i Serbisë”, u shpreh Muriqi.
Sulmuesi foli edhe për përkrahjen e madhe që Kombëtarja ka marrë pas arritjes në finale, duke thënë se mesazhet dhe vlerësimet nga institucionet i motivojnë lojtarët.

“Kemi marrë shumë mesazhe. Ka pas njerëz që edhe para lojës na kanë thënë që ju e keni arritur kulmin. Për finale, ndodhi çka ndodhi, ju jeni zemra jonë jeni krenaria jonë. Domethënë, kjo është diçka jashtë mase e mirë për neve. Ka qenë kënaqësi që e kemi dëgju. Kemi shkuar edhe pas lojës, ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kemi marrë edhe medalje për përfaqësimin e shtetit tonë. Këto janë gjëra të mira, këto personalishte edhe për mua edhe për bashkëlojtarët e mi vetëm na motivojnë”, tha Muriqi.
Ai u ndal edhe te gjendja emocionale pas finales, duke thënë se humbja ia ka shuar ëndrrën më të madhe dhe se për disa ditë nuk ka mundur të fle.
“Po fitorja ka qenë me rëndësi sepse erdha në kombëtare pas humbjes së Elches që pata një penallti, e humba në minutën e 92-të, ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne një pikë kishte me qenë shumë. Erdhëm me fitore në gjysmëfinale kundër Sllovakisë, humbëm në finale, humbja e dëshirës më të madhe e jetës sime për 90 minuta shkoi. Kështu që u ktheva pas dy dite me Real Madridin duke e ditur që nuk isha për lojë. Them se nuk isha për lojë, por normal jam lojtar profesionist dhe nuk guxoj që ekipi Mallorca të ketë anën negative ta përjetoj edhe Mallorca për shkak timin. Siç shkoi loja 1-0 ishim duke fituar, isha i lodhur dhe plani im me fol drejtë që me Real Madridin me fitu është vështirë, por thash varet prej rezultatit më mirë me dalë prej loje që mos me pas lëndime”, tha fillimisht ai.

Muriqi tregoi se shpërthimi emocional pas golit ndaj Real Madridit lidhej edhe me gjithçka që kishte kaluar në ato ditë.
“Por, siç shkoi loja si shkoi rezultati ndjeja më shumë dëshirë, kur barazuan në minutën e 89-të, thash se këtë vit filloi mirë, por ka me përfundu keq për mua. Por, erdh rasti dhe me një kundërsulm dhe kur e pashë topin dhe gjuajta edhe është momenti kur e shoh topin që është futur në rrjet, ishte një gëzim edhe shpërtheva në lot me këto që kam përjetuar. Por veç ti edhe Zoti e di se çka përjeton brenda. Këto dy javë aq gjëra kam kaluar të rënda…”, shtoi ai.
Ai theksoi se Kampionati Botëror me Kosovën ishte ëndrra e tij më e madhe, ndërsa foli edhe për situatën familjare pas ndeshjes.
“Pas lojës ditën e lojës, gruaja është operuar, kur ka dalë ajo, kur e pa atë që ndodhi me lojën me Turqinë edhe ajo filloi me qajtë. S’kam mundur të fle 3-4 ditë e para, tash po e marr vetën mentalisht, dëshira më e madhe e jetës time shkoi, por duhet të vazhdojë. Unë i kam shënuar edhe Barcelonës edhe Real Madridit, por ndjenja kur shënoj me Kosovën kurrë nuk është e njëjtë edhe kurrë s’ka me qenë e njëjtë pa marrë parasysh”, përfundoi Muriqi.
Ndërkohë, ai foli edhe për raportin me Marash Kumbullën te Mallorca, duke thënë se janë shumë të afërt edhe jashtë fushe.

“Shumë mirë, tepër mirë kalojmë. Jemi një grup që në tavolinë gjithmonë kam qenë me Martin Valin dhe Antonio Sanchez edhe tash është bashkangjitur edhe Marashi (Kumbulla). Kalojmë shumë mirë edhe jashtë fushës, takohemi shpesh, dalim bashkë, dalim hajmë drekë bashkë. Dëshirojmë shumë, sidomos grupi jonë ne të tre që thash më herët që Mallorca t’ia marrë kontratën e Marashit dhe të vazhdojë kontratën që të kalojmë sa më shumë kohë”, tha Muriqi.
Muriqi, ndërkohë, ka hyrë edhe në historinë e Mallorca-s, duke e thyer rekordin e golashënuesit më të mirë të klubit me 55 gola, duke lënë pas rekordin e mëparshëm që mbahej nga Samuel Eto’o (54). /Telegrafi/




























