Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka komentuar vendimin e Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave të kabinetit qeveritar.

Murati ka thënë se, vendimi përmes të cilit ulen pagat e qeverisë nuk prek ato të sistemit të drejtësisë e as nuk bie ndesh me ligjin.

“Vendimi ul pagat e qeverisë, nuk prek ato të sistemit të drejtësisë dhe nuk bie ndesh me ligjin, përkundër disa pretendimeve”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook, përcjell Telegrafi.

Të mërkurën, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka shfuqizuar vendimin e qeverisë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.

“Duhet cekur se ky vendim nuk prek pagat aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, propozoj që të plotësohet dhe të ndryshoj pika 2 e vendimit të Qeverisë 02/59 i datës 17.12.2015, që ka të bëjë me përfitimet e ish-zyrtarëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Obligohet Ministria e Financave dhe Transfereve dhe institucionet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hynë në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe zbatohet nga data 3 shkurt 2020”, kishte thënë kryeministri Kurti në arsyetimin e vendimit.

Qeveria Kurti shfuqizon vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar Qeveria Kurti shfuqizon vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar

Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave deri në 100 për qind.

Qeveria e kaluar kishte marr vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar.

Po ashtu, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, duke mos ndikuar në pagat e gjykatësve dhe prokurorëve.

IKD reagon ndaj vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave, e konsideron të kundërligjshëm IKD reagon ndaj vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave, e konsideron të kundërligjshëm

“Instituti i Kosovës për Drejtësi reagon ndaj ligjshmërisë së Vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave të kabinetit të tij dhe pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, duke vlerësuar vendimin si të kundërligjshëm, njëjtë sikurse në kohën e marrjes së Vendimit për rritjen e pagave nga ish-Kryeministri Haradinaj. Vendimet kanë qëllime të ndryshme, por dyjat janë të kundërligjshme sepse zgjidhja e problemit të pagave duhet të rregullohet ekskluzivisht përmes ligjit”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Në këtë mbledhje, po ashtu janë shfuqizuar edhe disa vendime të Qeverisë Haradinaj. /Telegrafi/