LAJMI I FUNDIT:

Murati për pagat e mësimdhënësve: Paradhënie për orët e mësimit që do t’i zëvendësojnë

Murati për pagat e mësimdhënësve: Paradhënie për orët e mësimit që do t’i zëvendësojnë
Foto: Arkiv

Pagat e shtatorit për të punësuarit në sektorin e arsimit janë ekzekutuar nga Thesari i Shtetit të premten pasdite, dy ditë pas kalimit të afatit ligjor.

Qeveria pati paralajmëruar se pagat do t’u dalin vetëm atyre që kanë punuar, por jo edhe atyre që kanë mbajtur grevë gjatë shtatorit.


Megjithatë, pagat janë ekzekutuar për të gjithë mësimdhënësit e ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur “paradhënie për orët e humbura të shtatorit që do të zëvendësohen nga mësuesit”.

“Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimit, të miratuar nga MASHTI”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ende nuk dihet zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me orët e humbura të mësimit në muajin shtator. Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të zëvendësohen të shtunave, por SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve nuk janë pajtuar. /Telegrafi/