LAJMI I FUNDIT:

MTI dhe IFC me marrëveshje për promovim e Kosovës si destinacion për investime

MTI dhe IFC me marrëveshje për promovim e Kosovës si destinacion për investime

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore që u përfaqësua nga Thomas Lubeck, Drejtori Rajonal për Evropën Juglindore (IFC) dhe Riccardo Serri, drejtori i Seksionit Ekonomik dhe Politik pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministri i MTI-së, Endrit Shala, theksoi se ministria e vlerëson lartë punën dhe partneritetin e deritashëm me IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore.


“Dëshiroj të konfirmoj edhe një herë interesimin dhe gatishmërinë tonë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Me këtë rast e falënderoj edhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si njërin ndër donatorët me aktiv në Kosovë dhe njërin nga partnerët tanë më të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës në integrimet rajonale dhe evropiane”, tha ministri Shala.

Ai tha se “Projekti për Hartimin e Politikave për Promovimin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor është një projekt rajonal që mbulon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka për qëllim të asistoj Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saja për përmirësimin e infrastrukturës rregullatore për përmirësimin e mëtejmë të klimës së investimeve si dhe harmonizimin e politikave rajonale të investimeve me standardet evropiane gjë që do të ndihmoj vendet e këtij rajoni duke përfshirë edhe Kosovën të avancojnë tutje në procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian”.

Në kuadër të këtij projekti do të përfshihet zhvillimi dhe vendosja e një agjende rajonale për reforma lidhur me politikat e promovimit të investimeve të huaja, zyrtarizimi i agjendës nëpërmjet instrumenteve të duhura zbatuese, zbatimi dhe monitorimi i reformave lidhur me investimet e huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe promovimi i Kosovës si destinacion unik për investime. /Telegrafi/