Ministria e Shëndetësisë publikon analizën dy javore të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19. Personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës konsiderohen të vaksinuar, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Në periudhën nga 06.08 deri më 19.08.2021 në territorin e Maqedonisë 9.881 qytetarë janë pozitivë nga të testuarit për Covid-19, vetëm 15% e tyre ishin plotësisht të vaksinuar, pra 1.507 persona.

Ka numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që u infektuan me Covid-19. Sipas statistikave dy javore, 8.374 qytetarë pozitivë për Covid-19 nuk ishin të vaksinuar.

Përqindja e personave të shtruar në spital që nuk janë të vaksinuar është 91%, ndërsa vetëm 9% e të gjithë 724 pacientëve të shtruar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar”, thuhet në analizën e MSh-së.

Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë, tregon analiza.

“Në një periudhë prej dy javësh në territorin e vendit, 101 persona vdiqën nga Covid-19, 92 pacientë të vdekur nuk ishin të vaksinuar, ndërsa vetëm 9 ose (8%) kanë qenë të vaksinuar. Sipas analizës, të ndjerit kishin edhe sëmundje tjera kronike”, thonë nga atje.

Të infektuarit dhe të vdekurit janë të vaksinuar me vaksinat që kemi në dispozicion, si dhe vaksinat Moderna dhe Johnson&Johnson, të cilat disa nga pacientët i morën jashtë vendit.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se çdo vaksinë që kemi në dispozicion është e sigurt, zvogëlon mundësinë e sëmundjes, parandalon sëmundjet e rënda dhe mbron nga vdekja.

Ministria e Shëndetësisë apelon që qytetarët të vaksinohen, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve SarsCov2./Telegrafi/