LAJMI I FUNDIT:

Mrekullia dhe tmerri: Nobelisti i mirë, politikani i keq Harold Pinter

Mrekullia dhe tmerri: Nobelisti i mirë, politikani i keq Harold Pinter

Më mrekullonte shkrimtari Pinter, por më vriste politikani Pinter. “Ashensori” – i shkrimtarit Pinter – guximshëm kishte zbritur në bodrumin e shpirtit të njeriut dhe po aq guximshëm synonte piramidën, majën, Zotin. Politikani Pinter kishte organizuar demonstrata (“Demonstrata Nacionale”) në Londër kundër bombardimeve të NATO-s, e cila u hodh në mbrojtje të civilizimit duke i mbrojtur shqiptarët…

Emin Z. Emini


Rastësisht më kishte rënë në dorë një përkthim i pabotuar i dramës “The Dumb Waiter” nga Harold Pinter, me titull tejet provokativ “Ashensori për kuzhinë”. Por, më provokativ për mua ishte vetë emri i autorit, për të cilin dija vetëm dy gjera: se ishte shkrimtar nobelist dhe politikan, i cili kishte qenë kundër bombardimit të NATO-s mbi Serbinë dhe caqet serbe në Kosovë.

Me kureshtje të dyfishuar dhe me vëmendje të madhe e lexova me etje shkretëtire dramën “Ashensori për kuzhinë”. Leximi i parë më krijoi shumë përshtypje dhe imazhe, figura e ngjyra, shushurima e klithje, por më shumë më befasoi stili i të shkruarit. Ishte një dramë moderne me konflikt të brendshëm, një dramë pothuaj e tipit të dialogut me konflikt gati të pahetueshëm. E rilexova. Edhe pas leximit të dytë më mundonte një pyetje që ia bëja vetes vazhdimisht: Ç‘është ai ashensor? Përse ashensori për kuzhinë?

U futa në internet dhe shpejt e gjeta ueb-faqen e Harold Pinterit. Gati sa nuk u stepa nga deklaratat e tij politike dhe sikur të mos i mjaftonin këto, ky njeri madje kishte organizuar edhe demonstrata që i kishte quajtur “Demonstrata Nacionale”, në Londër, kundër bombardimeve të NATO-s, dhe kishte dal hapur në përkrahje të Serbisë. Një politikan totalisht antiamerikan e antianglez dhe kundër tërë doktrinës humanitare të njerëzimit e cila u hodh në mbrojtje të civilizimit duke i mbrojtur shqiptarët përmes përmes sulmeve kundër forcave policore dhe ushtarake të Serbisë. Kjo më vriste. Por, mbi të gjitha më vriste pamëshirshëm ironia e tij. E rilexova prapë “Ashensorin…”. Po ç‘djall ishte ky ashensor?

Po. Në fillim ashensori për mua ishte djalli vetë. Satana. Dhe pastaj, nëse ishte Satana, kjo do të thotë se është edhe e kundërta e tij, Zoti. Satana dhe Zoti. Ashensori në mes. Po Njeriu? Më në fund edhe Njeriu, me “katet” e tij: idin, egon dhe superegon. Për këto “kate” duhet ashensori! Ashensori ishte e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja, ishte morali dhe antimorali, ishte, ishte, ….”Ashensori” i Pinterit që guximshëm kishte zbritur në bodrumin e shpirtit të njeriut dhe po aq guximshëm synonte piramidën, majën, Zotin.

Më lindi një dëshirë e tmerrshme ta inskenoja këtë dramë. Më mrekullonte shkrimtari Pinter, por më vriste politikani Pinter. Ky shkrimtar kishte krijuar “ashensorin” me guxim titani duke rizbuluar një të vërtetë të madhe njerëzore, të cilën e ndjeja thellësisht brenda vetes si një zë që më çonte peshë për t’ua “kumtuar” përmes inskenimit artdashësve të popullit tim. Por, fatkeqësia në tërë këtë ishte politikani. Ky politikan kishte qenë kundër lirisë sime dhe të popullit tim. U ndodha në një luftë trishtuese në mes të shkrimtarit Pinter dhe politikanit Pinter. Në mua triumfoi shkrimtari. Triumfoi e vërteta njerëzore. E fala për politikën.

Por, si do të reagonte politika dhe populli im? Ç‘do të bëja me popullin tim? Ç‘do t’ju thoja? A do të më kuptonin drejtë? A do të më falnin mua dhe a do mund t’ia falnin atij?

Një besimi i fshehur më thoshte se është në të mirën e popullit tim jo vetëm inskenimi i kësaj drame, por edhe falja, sepse tekfundit falja do të ishte një gërryerje në ndërgjegjen e politikanit Harold Pinter, i cili mbase do të rikujtohej edhe njëherë për shqiptarët dhe ndoshta do të ndodhte mrekullia dhe nobelisti do të bënte gjestin e tij të duhur: t’iu kërkonte falje shqiptarëve. Një shkrimtar nobelist dhe një politikan me aq ndikim në politikën botërore do të ishte një levë e madhe në zgjidhjen e drejtë të çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Vërtetë isha i bindur se ia vlente ta provoja. Tekefundit, isha i bindur dhe jam akoma se me njerëz të kalibrit të tillë duhet të merren institucionet shtetërore, (nëse do t’i kishim), Akademia e Shkencës dhe e Arteve, shoqatat kulturore dhe asociacionet e tjera jopolitike, ashtu siç ka bërë dhe bën edhe sot Serbia.

Iu përvesha punës dhe pas një kohe e krijova platformën e shfaqjes. I përzgjodha aktorët dhe me ta bëra disa 3-4 takime, të cilat i shfrytëzova për ta analizuar dramën “Ashensori…” dhe për t’ua shpalosur idenë dhe temën e shfaqjes që do të inskenonim bashkërisht. Gjatë tërë kësaj kohe dëgjoja shushurima kundërshtuese nga kolegët e mi, por kishte edhe të atillë që patën kurajon të ma thoshin hapur: A je i çmendur? A “inskenohet” Millosheviqi? Unë u thosha gjakftohtë: Nuk jam duke e inskenuar Millosheviqin, as Pinterin, por dua ta inskenojë një dramë të Pinterit, edhepse akoma nuk e kam të drejtën autoriale të tij. Kishte edhe nga ata që më shanin pas shpine, edhe nga ata që më tregonin për sharjet. Por, çuditërisht, asnjë nga kundërshtuesit që ishin shumë më të shumtë në numër se sa përkrahësit, nuk kishin asnjë lloj kurajoje të debatonim publikisht në media. Ndër kundërshtarët më të zëshëm ishin disa nga profesorët e Fakultetit të Arteve, të cilët më kërcënonin në forma të ndryshme, madje edhe me organizim të demonstratave në të cilat do ta ftonin kundër inskenimit të veprës së një Millosheviqi, siç e quanin ata Pinterin.

Dhe, kështu, ende pa i filluar provat e mirëfillta të tavolinës, vendosa të bëj hapin që e kisha ndërmend: t’i bëjë letër nobelistit.

Mezi e sigurova adresën e tij. Përkundër shumë përpjekjeve, pasi angazhova edhe vendorë, edhe ndërkombëtarë që të më siguronin e-mailin e Harold Pinterit, nuk ishte e mundur kjo gjë. U drejtova në British Council. Ata më thanë se duhej të qëndronte pas meje një institucion që të ma jepnin adresën e tij. Ky ishte Fakulteti i Arteve dhe tek pastaj, ata të British Council, ma dhanë adresën postare të Harold Pinterit. Gjatë kësaj kohe, edhe kundërshtuesit, edhe përkrahësit ishin skeptikë; nuk besonin se nobelisti do të më kthente fare përgjigje në letrën që mendoja t’ia dërgoja. Tashti kundërshtuesit më tallnin, sepse, siç më thoshin ata, një nobelist mund të pranojë me mijëra letra në ditë dhe nuk lodhet për pallavrat e tua. Ndërsa nga përkrahësit kishte të atillë që më thoshin: nëse ai të përgjigjët do të përkulemi para teje, sepse mjafton që një nobelist dhe një politikan që është absolutisht kundër shqiptarëve t’i përgjigjët me letër një shqiptari.

Ia dërgova letrën me postë të zakonshme. Unë, një anonimus nga Kosova i bëra letër një nobelisti. I tregova se kush jam. I tregova se para luftës kam studiuar Mjekësinë. I tregova se në kohën e luftës në Kosovë, mungesa e lirisë më kishte radhitur në luftën çlirimtare kundër së cilës kishte qenë ai, por përkundër kësaj, i tregova se kisha vendosur të inskenoja dramën e tij “The Dumb Waiter”. I shkrova edhe mendimin tim për dramën e tij dhe se cila do të ishte ideja dhe tema e shfaqjes. Ia kërkova të drejtën autoriale. Kërkova nga ai të di se ku kishte qenë “ashensori” i tij kur kishte dal kundër bombardimeve të NATO-s dhe në fund kërkova një prononcim të tij të ri për Kosovën e pasluftës dhe shqiptarët.

Pas gjashtë ditësh ndodhi ajo që kisha pritur. Në e-mailin tim kishte një letër. Pinteri më kishte kthyer letrën. E kishte lexuar letrën time, madje kishte marrë gjentilesën të më falënderonte për letrën që ia kisha dërguar. Por, në atë e-mail asgjë nga ato që kisha kërkuar nga ai. Asgjë. Në vend të përgjigjeve të tij, ai kërkonte të dinte nga unë se kush ishte përkthyesi i dramës së tij, në cilin teatër do ta inskenoja veprën e tij, kërkonte të dinte partiturën e shfaqjes sime dhe se kur do të ndodhte inskenimi.

Kthimi i letrës më gëzoi si fëmijën. Por, ajo letër me përmbajtjen e saj ishte zhgënjyese. Shumë më hidhëroi mosgatishmëria e tij të më përgjigjet në pyetjet që ia kisha bërë. Më hidhëroi aq shumë sa vendosa përfundimisht: Ta injoroja letrën e tij me gjithë të dhe të mos i ktheja fare përgjigje në pyetjet që ai më kishte bërë. Ta injoroja përfundimisht derisa ai të më kthente përgjigje, sepse ai e kishte radhën i pari të bënte këtë gjë. Dhe e bëra mendjen top, siç bëjmë ne ballkanasit. Pa asnjë pikë ndërgjegje vendosa ta injoroj një nobelist. Dhe isha i bindur se kam shumë të drejtë. Dhe ashtu bëra. Nuk iu përgjigja. Nuk i shkrova më. Unë një anonimus e injorova deri në asgjësim një shkrimtar nobelist.

Dhe, çudia ndodhi. Pas 5 ditësh, në e-mailin tim kishte edhe një letër. Vinte nga Londra. Nga nobelisti Harold Pinter. Një e-mail që kishte gjithsej katër fjali. Fjalia e parë ishte përshëndetja e tij me shumë respekt dhe nderim që më kishte bërë.
Fjalia e dytë ishte përgëzimi i tij me shumë sinqeritet për leximin që i kisha bërë veprës së tij me urimin e përzemërt për idenë dhe temën që kisha për shfaqje dhe bashkë me këtë më kishte dhënë edhe konfirmimin për dhënien e të drejtës autoriale. Fjalia e tretë i takonte politikës, në të cilën ai thoshte se e ka “mendjen e qetë, ngase bombardimi i NATO-s mbi Serbinë ka qënë plotësisht i paligjshëm”. Fjalia e katër ishte shfaqja e dëshirës dhe e shpresës së tij që unë dhe ekipi im të kënaqeshim derisa të inskenonim tekstin e tij.

Pasi e lexova e-mailin thashë me vete: O zot, a është e mundur, brenda një letre të qëndrojë mrekullia dhe tmerri. Mrekullia se një nobelist, pa asnjë kompensim, pa asnjë kusht më kishte dhënë të drejtën autoriale (e drejta autoriale në të shumtën e rasteve sigurohet vetëm me shuma astronomike parash) dhe tmerri, sepse akoma, po ai nobelist, që emrin Kosova e kishte shkruar me “a” në fund e jo më “o”, edhe shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë mendon politiksiht tamam siç ka menduar Millosheviqi.

Me padurim ia bëra letrën e dytë. E falënderova më shumë se përzemërsisht për të drejtën autoriale që më kishte dhënë, por ky nuk ishte qëllimi i lerës që i bëra. Qëllimi ishte te pyetja ironike që ia drejtova: “Pasi që sipas hirësisë suaj bombardimi i NATO-s ka qenë i paligjshëm, a ka qenë e ligjshme lufta ime për lirinë time?”. Dhe më nuk u bë i gjallë. E dija se nobelisti më nuk do të shkruante. Dhe e di që e ka kuptuar shumë qartë se inskenimi i veprës së tij në Kosovë nuk do të ndodhë nga unë.

Dhe, çka pas krejt kësaj? Së paku, provova ta gërvishi ndërgjegjen e një shkrimtari nobelist. T’ia gërvishi ndërgjegjen për filozofinë e tij politike, për Kosovën, për shqiptarët. Provova t’a lëvizi “ashensorin” e tij. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Kulture
Kultura dhe globalizmi

Kultura dhe globalizmi

Kulture
3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Kulture
Kalo në kategori