LAJMI I FUNDIT:

Mos ekzekutimi i pagave, Bajrami: Ka familje që sot Qeveria Kurti i ka lënë pa bukë

Mos ekzekutimi i pagave, Bajrami: Ka familje që sot Qeveria Kurti i ka lënë pa bukë

Ish-ministrja Hykmete Bajrami ka reaguar sot ndaj mos ekzekutimit të pagave për mësimdhënësit për shkak të grevës në arsim.

Në një postim në Facebook ka thënë se Ligji për greva i plotësuar dhe i ndryshuar, në të cilin thirret Qeveria, është i paqartë.


“Juristët e këtij vendi, sidomos atyre që janë të afërt me Qeverinë t’i tregojnë kryeministrit, ministrit të Financave dhe ministres së Drejtësisë se në bazë të parimit të ligjshmërisë askujt nuk mund t’i cenohet një e drejtë bazuar në një ligj, i cili është i paqartë.

Bajrami ka shtuar se duke mos i ekzekutuar pagat, Qeveria po i godet me mijëra familje, qytetarë të këtij vendi, të cilët po përballën me çmimet me të larta që nga viti 1999.

“Mos harroni se ka familje që sot i keni lënë pa bukë dhe ata deri sot kanë menduar që megjithatë kanë një Qeveri.Goditja e dytë është goditja që po i bëni sistemit të drejtësisë. Rreth 25 mijë punëtorë të arsimit dhe mijëra të tjerë të administratës do t’iu drejtohen gjykatave dhe kështu ju do të krijoni kaos në sistemin e drejtësisë. Premtimet e juaja për punësim dhe drejtësi janë kthyer në varfëri dhe kaos.Ekzekutoni pagat dhe mos luani me qytetarë se janë kohë të vështira”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, ligji numër 03/L-200 për greva i plotësuar dhe i ndryshuar me ligjin 04/L-119, neni 13 për mbrojtjen e të drejtave të punësuarve gjatë grevës thotë se për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

Ndërsa neni 18 mbi efektet e grevës së ligjshme thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.