LAJMI I FUNDIT:

Mos e kurse “Mbretin lakuriq”!

Mos e kurse “Mbretin lakuriq”!

Do të jetojmë si fëmija e përrallës së Andersenit “Rrobat e mbretit”, që i thotë mbretit se është lakuriq, apo do të duartrokasim si shumica pa guxuar të themi se çfarë shohim realisht?

Kjo dilemë nuk ka të bëjë thjesht me një guxim për të pohuar vetëm realitetin, por ka të bëjë me kurajën për të patur disa përgjigje të rëndësishme në jetë, që i japin kuptim asaj që duam apo asaj që i ikim.


Por, a komunikojmë ne sot si shoqëri me të vërtetat? A po rritet një brez me të cilin mund të bashkëndajmë kurajën për të ndryshuar? A besojnë të rinjtë e sotëm se mund të marrin në dorë fatet e vendit? A i kemi bërë ne si brez detyrat që t’ua besojmë atyre të nesërmen, apo vijojmë të ngarkojmë mbi to edhe dështimet dhe dyshimet tona?

Është e zakonshme që çdo brez është disi skeptik lidhur me fuqinë që kanë të rinjtë. U ka ndodhur edhe gjyshërve me prindërit tanë. U ka ndodhur prindërve tanë me ne. Do t’u ndodhë edhe brezave që do të vijnë.

E, megjithatë, kohët e ndryshme kanë patjetër sfida të ndryshme. Në botën e sotme, ku ndryshimi ka një shpejtësi shumë më të madhe se sa ajo që kanë patur breza më parë, pikëpyetjet dhe sfidat janë edhe më të mëdha.

Prej kohësh kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet në familje, në shoqëri, në prodhim, e sidomos në komunikim. Teknologjia e sotme e ka zvogëluar botën. Të rinjtë e sotëm komunikojnë lirisht me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, flasin disa gjuhë të huaja, kanë shëtitur për të parë mjaftueshëm se si rrojnë të tjerët. Por a janë të mjaftueshme të gjithë këto lehtësira dhe avantazhe që kanë të rinjtë për të besuar se brezi i ri do të mund t’i përballojë sfidat?

Ne, si shoqëri, kemi ardhur nga një periudhë e gjatë e gënjeshtërt dhe e dhunshme. Filma, libra, muzeume, tekste shkollore dhe një kastë e tërë akademikësh të emëruar nga sistemi i shkuar, kanë krijuar një botë të gënjeshtërt nga ajo që ka qenë.

Dhe, fatkeqësisht, shumë pasoja të asaj bote të dhunshme, të gënjeshtërt e me shumë mosbesim, vijojnë të jenë mbi jetët tona, pasi shumica e asaj ideologjie që është prodhuar në atë kohë ka vijuar të ushqejë edhe brezat pas vitit 1990, sidomos me pranimin e dhunës si normalitet.

Ndërkaq, bota e sotme – një botë e nënshtruar ndaj konsumit – është e rrezikuar nga manipulimi dhe spektakli. Të rinjtë, në shumicën e rasteve, janë të joshur nga fama, për të cilën nuk kursejnë asgjë që t’ia arrijnë. Ndaj, me një të shkuar të dhunshme dhe një të tashme të manipuluar, të rinjtë kanë të drejtë të pyesin, se cilës anë i përkasin: të jenë fëmija që thërret “Mbreti lakuriq”, apo të duartrokasin atë që u sugjerohet si më e mira për ta?

Kjo pyetje vjen dhe më e mprehtë në këtë kohë kur gënjeshtra ka marrë fytyrën e së vërtetës, kur kemi të bëjmë me “një shoqëri të lëngët”, siç thotë sociologu Zygmunt Bauman, pra që merr vetëm formën që i japin.

Vështirësitë e përgjigjeve shtohen edhe ngase duartrokitësit që nuk e shohin “mbretin lakuriq” i fshehin dështimet pas slloganeve se “gjithçka është vendosur”, se “është e kotë të luftosh”, se “e drejta dhe morali janë fjalë pa kuptim”.

Të gjitha këto justifikime krijojnë rreziqe të mëdha për prindërit e sotëm, të cilët kanë gjithnjë e më shumë vështirësi që të komunikojë me të rinjtë përmes së vërtetës.

Në fakt kjo është sfida, dhe këtu duhet të ndalim. Sepse sfida e parë për t’i besuar fëmijëve tanë është që ne të pranojmë se çfarë nuk mundëm të bënim si duhet, se çfarë bëmë keq dhe çfarë nuk guxuam ta thoshim me zë të lartë, që të paktën ata të ruajnë dashurinë për ne dhe të na falin që nuk ishim aq të guximshëm për të ndaluar të keqen, që nuk mundëm t’i thoshim disa të vërteta në kohën dhe vendin e duhur e që lamë gënjeshtarët dhe “të fortët” të merrnin në dorë fatin tonë.

Filozofi Isaiah Berlin shprehej se “frika ndaj lirisë nuk është gjë tjetër veçse frika ndaj zbrazëtisë sonë!” Por, liri nuk do të thotë të mos pyesësh askënd apo që të bësh ç’të duash. Përkundrazi, liri do të thotë të luftosh që të fitosh edhe kur e sheh malin e mundimshëm përpara teje. Liri do të thotë të marrësh parasysh se ç’mund të ndodhë kur thua të vërtetën, ndërkohë që të tjerët duartrokasin rrobat e mbretit që nuk i ka. Liri do të thotë të mbrosh mendimet e tua pa menduar se shkuara është e kotë.

Për këtë betejë secili ka pjesën e vet. Dhe pa u parë në këtë pasqyrë, pa pranuar se cilit krah i përkasim kur jemi përballë “mbretit lakuriq”, nuk mund të kemi asnjë shans që të fajësojmë të tjerët. Aq më pak fëmijët tanë, te të cilët në një mënyrë a në një tjetër jemi gjithnjë pasqyrë për atë që bëmë apo që nuk bëmë.