LAJMI I FUNDIT:

Mos bëni panik me mbyllje në vjeshtë, gjejini mënyrat për t’i bindur njerëzit që të vaksinohen!

Mos bëni panik me mbyllje në vjeshtë, gjejini mënyrat për t’i bindur njerëzit që të vaksinohen!

Ka disa muaj që varianti Delta i Covidit-19, ka shënuar rritje të rasteve nëpër botë. Natyrisht, Kosova nuk mund të rri e paprekur nga kjo, sidomos tash kur ka lëvizje më të madhe të njerëzve – si përbrenda vendit, ashtu me vendet tjera.

Por, pse janë shpeshtuar thirrjet për mbyllje në vjeshtë, nëse nuk vaksinohen njerëzit – thirrje këto që vijnë sa nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ashtu edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK)?

A duhet të frikësohen njerëzit me thirrje të tilla? Me panik të tillë?

Natyrisht që po, ndaj apelet e tilla janë të gabuara në aspektin strategjik, në atë të komunikimit me publikun edhe në atë që njihet si PR-i i shtetit për të stimuluar njerëzit që të vaksinohen.

Por, cila është gjendja dhe faktet në terren në Kosovë dhe në vendet e rajonit? Ku qëndron shteti ynë, në këtë aspekt.

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë (statistikat e 30 korrikut 2021) në vend janë vaksinuar 12 832 banorë. Me dozën e parë, deri tash janë vaksinuar mbi 275 633 persona, me dozën e dytë janë vaksinuar 137 445. Pra, totali me dozën e parë dhe të dytë, deri më 30 korrik, është 413 078 qytetarë.

E, si qëndron Kosova në krahasim me shtetet e rajonit?

Sipas faqes www.ourworldindata.org, Kosova është vendi me përqindjen më të vogël të të vaksinuarve nga shtetet e rajonit (në bazë të përqindjes në popullatë). Vendi ynë është në pozitën e fundit me vetëm gjashtë për qind të të vaksinuarve deri në fund të korrikut; Bosnja e Hercegovina me shtatë për qind, Shqipëria  e Maqedonia e Veriut me 17 për qind, pastaj Mali i Zi me 24 për qind, Kroacia me 34 për qind e Serbia me 40 për qind (nga numri total i popullatës).

Në anën tjetër, prejse ka filluar vaksinimi në Kosovë, ka pasur një lloj hezitimi edhe nga vet stafi shëndetësor dhe nga institucione publike në vend. Vetëm një e treta e punonjësve të arsimit, në nivel vendi, janë vaksinuar. Edhe nëse sot ata vaksinohen, nuk do të arrijnë t’i marrin të dy dozat deri në fillim të vitit të ri akademik – pra në fillim të muajit shtator.

Njerëzit nuk është që nuk duan të vaksinohen; ata duhet të informohen, të stimulohen dhe të ketë një plan konkret për thirrje të vaksinimit. Kjo thirrje nuk duhet te jetë vetëm me fjalitë “CAPS LOCK” e veç me rrjetin Facebook. Pra, mungon strategjia e komunikimit me publikun; mungon PR-i dhe stimulimi.

Një sondazh i publikuar në muajin mars tek Telegrafi nga kompania Pyper, thotë se 42.52 për qind e qytetarëve janë të gatshëm ta marrin vaksinën anti-Covid, nëse do u ofrohej këtë javë.

Çfarë duhet të bëjë Ministria e Shëndetësisë e IKShPK-ja në ditët e javët e ardhshme në mënyrë më urgjente? Cila është zgjidhja?

Duhet të bëjë fushatë pozitive e stimuluese për t’u vaksinuar, e jo panik se do të mbyllet vendi; duhet t’i përdorin të gjitha platformat e komunikimit publik – mediat, rrjetet sociale, fushatat klasike senzibilizuese me fytyra publike që tashmë janë vaksinuar me të dy dozat. Pra, të bëjë një komunikim planifikues me njerëz të fushës, sepse nuk është marre të kërkosh ndihmë për të mirën e shëndetit publik e të shtetit.