Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se është koha që masat e kufizuese të vendosura për parandalimin e përhapjes së pandemisë të hiqen, pasi sipas tij Vetëvendosje po shfaq standardin e dyfishtë duke organizuar protestat në kundërshtim me këto masa kufizuese, në prag të vendimit që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se halli i vetëm i Qeverisë është dukja para opinionit publik, kurse tha se ndërhyrjet në ekonomi janë të pamjaftueshme.

“Vetëvendosje po planifikon të mbaje proteste në prag të vendimit që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Shumë mirë që po e shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike. Tash, pasi haptazi po e shfaqin standardin e dyfishtë duke organizuar protesta, por në kundërshtim me masat kufizuese të cilat i kanë vendosur vet, ka ardhur koha që këto masa të hiqen plotësisht. Rruga që ka zgjedhur qeveria për t’u mbrojtur nga pandemia është dritëshkurtër. Halli i vetëm i tyre është dukja para opinionit publik”, shkruan Molliqaj.

Ai thotë se pavarësisht pozitave që do t’i kenë në të ardhmen, Albin Kurti dhe Besnik Bislimi duhet të jenë përgjegjës për mosndërhyrje me masa ekonomike.

“Ndërhyrjet në ekonomi në anën tjetër janë tejet të pamjaftueshme. Mosndërhyrja në kohën e duhur me masa ekonomike do t’i kushtoj shumë ekonomisë, e për këtë duhet mbajtur përgjegjës Kurti e Bislimi, pavarësisht se në çfarë pozicioni mund të jenë nesër”, shkruan Molliqaj.

Molliqaj tha se nuk ka asnjë kuptim hapja e xhamive para shkollave e kafeneve.

“Masat e rrepta kufizuese, të paktën do të duhej të shoqëroheshin me sa më shumë testime. E kundërta ka ndodhur, masat kufizuese, edhe pse të gabuara në rreptësinë e tyre, ishin diskriminuese ne zbatim. Karantina në Qendrën e Studentëve nuk duhet të kalojë pa një hetim gjithëpërfshirës. Shkeljet e diskriminimet aty kanë nisur që prej selektimit të personave, deri tek kohëzgjatja e qëndrimit e trajtimi në karantinë. Përtej oportunizmit elektoral, nuk ka asnjë kuptim hapja e xhamive para shkollave e kafeneve. Në këto të parat frekuentojnë në masa të madhe persona të moshës së tretë, që janë më të rrezikuar nga virusi. Ndërkaq, kafenetë e gastronomia përveç që janë aktivitet kyç ekonomik, nuk i mbledhin në hapësirë të mbyllur me të rrezikuarit”, shkruan ai.

Policia lejon Lëvizjen Vetëvendosje të mbajë provën e dytë për protestë, ku pritet të mblidhen deri pesë mijë persona Policia lejon Lëvizjen Vetëvendosje të mbajë provën e dytë për protestë, ku pritet të mblidhen deri pesë mijë persona

Molliqaj shtoi në fund se Qeveria Kurti ka instrumentalizuar shoqërinë civile, dhe po organizojnë protesta kur ende ka masa kufizuese për qytetarët.

“Duke instrumentalizuar shoqërinë civile, Qeveria Kurti ka organizuar protestë kur masat ishin ende tejet të rrepta, kur njerëzit arrestoheshin e futeshin në karantinë pse kishin dalë për nevojat e tyre. Edhe sot është njëjtë, masat janë në fuqi nga Qeveria, vetë ajo ndërkaq po proteston. Masat duhet të hiqen për të gjithë! Edhe ata qe nuk protestojnë për ta mbrojtur qeverinë janë qytetarë”, shkruan Molliqaj. /Telegrafi/