Molliqaj: Faji për zgjedhje është i Kurtit, Kosova s’ka opozitë – PSD synon Kuvendin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se kriza politike që e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme është rezultat i veprimeve të kryeministrit Albin Kurti, por edhe i dështimit të opozitës për të ofruar alternativë.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Molliqaj theksoi se opozita, në vend që ta sfidojë pushtetin, e ka ndjekur atë në çdo hap.
“Nuk ka dilemë që është Albin Kurti, por kjo nuk kish me qenë kështu, mos të kishit këtë opozitë… kjo opozitë ia ka mundësu që qytetari i Kosovës me pa fajin te opozita,” u shpreh ai shkruan Telegrafi.
- YouTube www.youtube.com
Sipas tij, mënyra se si është menaxhuar procesi i zgjedhjes së presidentit ka krijuar një situatë ku përgjegjësia politike është shpërndarë, duke e dobësuar rolin e opozitës.
“Opozita e ka ndjekur në secilin hap të lojës Albin Kurtin… dhe në fund ka rrezik që këtë lojë jo të mirë për qytetarët ta ketë kthy në favor të vetes kryeministri,” tha Molliqaj.
“Zgjedhjet nuk janë problem, mungon frymëzimi politik”
Duke komentuar perceptimin për lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta, Molliqaj tha se problemi nuk është fizik, por politik.
“Njerëzit nuk lodhen fizikisht… nëse s’ka frymëzim politik, njerëzit thonë s’po du me marrë pjesë. Po shkojmë në zgjedhje për ndarje pushteti”, deklaroi ai.
Ai shtoi se zgjedhjet janë mekanizëm demokratik i domosdoshëm kur mungon pajtueshmëria mes aktorëve politikë.
Molliqaj theksoi se arsyeja reale e zgjedhjeve lidhet me përplasjen për pushtet mes pozitës dhe opozitës, dhe jo me interesin e qytetarëve.
“Opozita po don pak më shumë hise në pushtetin e Kurtit, ndërsa Kurti po don me marrë pushtet edhe ma shumë… pra të dy palët po shkojnë në zgjedhje për këtë arsye,” tha ai.

PSD hyn në zgjedhje: “Jo për pushtet, por për opozitë”
Duke folur për pjesëmarrjen e PSD-së në zgjedhje, Molliqaj konfirmoi se kjo është hera e parë që partia do të garojë në nivel parlamentar, me një synim të qartë.
“Ne nuk po shkojmë në zgjedhje për me marrë pushtet… oferta jonë është: votojeni PSD-në për të bo opozitë në Parlament,” deklaroi ai.
Ai theksoi se Kosova aktualisht vuan nga mungesa e një opozite të mirëfilltë.
“Kosova është tu vuajtë sepse s’ka opozitë… opozita duhet me pasë ide dhe përkushtim, jo veç me bërtitë,” u shpreh Molliqaj.
Molliqaj kritikoi edhe partitë opozitare, duke thënë se ato nuk kanë dallime reale dhe nuk ofrojnë alternativë për qytetarët.
“Cili është dallimi mes liderëve sot?... s’ka kurrgjë të ndryshme,deklaroi ai”./Telegrafi/.




















































