LAJMI I FUNDIT:

Misteret erotike të Odisesë

Misteret erotike të Odisesë
Ilustrim

Luftërat trojane përfunduan me humbjen e Trojës dhe rënien e saj në duar të grekëve, shumë prej të cilëve u kthyen në shtëpi. Por i madhi Odise nuk ishte mes tyre. Ai mbeti i izoluar në ishullin e largët të Ogygias, duke shijuar dhuratat ndjellëse të nimfës së bukur Kalipso.

“Odiseja” e Homerit, është siç e dimë të gjithë, historia e udhëtimit të gjatë të Odisesë për të shpëtuar nga Kalipsoja, drejt shtëpisë së tij në Itakë, aty ky gruaja e tij Penelopa pret e rrethuar nga 117 princa të rinj në moshë që i kërkojnë dorën.

Vihen re dy mistere erotike në qendër të poemës “Odiseja”:

1. Përse Odiseja e braktis Kalipsonë?

2. Përse mëtuesit janë kaq të marrosur pas Penelopës?t

Pse pra Odiseja e braktis Kalipsonë? Apo për ta thënë ndryshe: pse nuk qëndron ai me të?

Kalipsoja është një nimfë – ajo do të jetë përherë e re. Gjoksi i saj nuk do të varet kurrë. Vithet e saj do të jenë gjithnjë të hedhura, flokët shkëlqyes dhe të lëmuar. Ajo do të jetë përherë dëfryese në krevat dhe mesa duket, gjithnjë me dëshirën për të shkuar aty.

Për më tepër, ajo mund t’iu bëjë të pavdekshëm dhe të japë rini të përjetshme. S’ka nevojë për Rogaine, apo Viagra, ju do të jeni i ri dhe energjik përgjithnjë. Pse duhet ta lini të gjithë këtë?

Odiseja duhet të jetë i lumtur… Jo, ai kalon ditët duket qarë – ndonëse natën rehatohet në krevat me Kalipsonë (rishtimi dhe depresioni duket qartë se nuk e frenojnë libidon). Pra, ky është misteri i parë. Odiseja ndodhet në parajsën homerike. Pse ndihet ai kaq keq atëherë?

Ky mister është i ngatërruar, por nuk krahasohet me të dytin. Penelopa është një grua në moshë të mesme rreth të 40-ve – jo e vjetër, por as për martesë jo. Penelopa nuk është më vajzë. Por ja që më shumë se 100 princër, të rinj sa për të qenë djemtë e saj, po i vardisen asaj prej tre vjetësh. Jetojnë në pallatin e saj, hanë dhe pinë aty, ndërkohë që koha kalon për të dhe për ata… Pse askush nga brezi i Penelopës nuk tërhiqet prej saj?

Lidhur me misterin e parë: Odiseja është një luftëtar i madh; një njeri i jashtëzakonshëm – një i mbijetuar. Ajo çfarë ai pëlqen të bëjë është të luftojë, të garojë në lojëra dhe të festojë me miqtë e tij, të dëgjojë bardët të këndojnë për beteja dhe luftëtarë të mëdhenj. Atij i pëlqen të tregojë nga ato histori një prej të cilave pjesërisht është edhe Odiseja.

Ja pra kush është ai. Të mos jesh është për të një lloj vdekje sociale, po aq e keqe sa realja.

Çirçe, e cila i kthen njerëzit në derra; zambakngrënësit, që e bëjnë njeriun të harrojë shtëpinë dhe se kush ata janë; Hadi, ku të vdekurit gëzojnë një gjysmë jete: të gjithë kërcënime ndaj identitetit të Odisesë, të gjitha forma të vdekjes në jetë.

Kalipsoja jeton në Ogygia, është kaq larg nga rrugët e njohura saqë askush nuk vjen aty ndonjëherë. Odiseja është i pari fare, që shkel në ato brigje. Thuajse asgjë nga gjërat që pëlqen Odiseja nuk gjendet aty. Nuk ka festa të mëdha, poetë, asnjë prej luftërave dhe sporteve që u jep atyre lëndën për të kënduar. Dhe këto janë gjërat më të mira në jetë. Nuk ka asgjë më të mirë, u thotë Odiseja feakëve, pasi ai u largua nga Kalipso.

Për veten time nuk ka gjë më t’ëmbël
Kur ndër shtëpia gjen rrotull rapsodët
Të mbledhur miqtë, duke e dëgjuar pa zë
E janë tryezat plot me bukë e me mish,
ku pa e zbrazur gjen kupën të mbushur
Kësaj për veten time i thonë jetë!
(Kënga IX)

Kërcënimi që Kalipsoja ushtron mbi Odisenë është një kërcënim mbi identitetin e tij. Jeta dhe rinia e përjetshme që ajo ofron vijnë me një çmim shumë të lartë. Seksi që ofrohet në këtë anonimat, edhe pse me një nimfë, nuk mund të kompensojë ato që pëlqen Odiseja. Dhe ndonëse Kalipsoja dhe Odiseja kanë kryer marrëdhënie seksuale për shtatë vjet (2500 herë), ata nuk kanë fëmijë. Mungesa e pasardhësve sinjalizon mungesën e një të ardhmeje dhe me të, mungesën e historisë.

Kjo është arsyeja pse Odiseja ngashërehet në Ogygia dhe mezi pret të ikë. Ai do jetën e tij sërish.

Po misteri i dytë?

Pse ata që i vardisen Penelopës janë kaq të rinj? Ne e dimë se Telemaku dhe bashkëkohësit e tij, mëtuesit, u rritën duke dëgjuar për Luftërat e Trojës dhe heronjtë e tyre: Akilin, Ajaksin, Agamemnonin dhe sigurisht për Odisenë. Sa here duhet të kenë dëgjuar ata poetët që këndonin këngë për këta njerëz të mëdhenj? Sa shpesh imagjinata e tyre do të jetë ngacmuar prej tyre dhe bëmave të tyre? Sa herë ata kanë dëshiruar t’u ngjanin – të ishin si ata?

Është pikërisht kjo pse ata dëshirojnë Penelopën. Ata janë të rinj sepse janë brezi tjetër – brezi që nuk luftoi në Luftërat e Trojës. Ata e dëshirojnë Penelopën sepse ajo është gruaja e Odisesë. Ata e duan atësepse të kesh Penelopën është si të jesh Odiseja, të zësh vendin e tij, të lërosh tokën që ai lëroi. Edhe sikur vetëm të jesh në mjedisin e saj, apo thjesht të vish vërdallë pallatit të Odisesë, i sjell ata më afër asaj cka ata duan të jenë. Ata qëndrojnë sepse identitetet e tyre si aspirues të Odisesut janë të nënkuptuara dhe marrin kuptim aty.

Mëtuesit po pretendojnë sikur janë Odiseja, por po e bëjnë këtë në botën reale, në botën në të cilën ka burra si Odiseja. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i fantazisë së tyre, por edhe gabimi. Kur Odiseja kthehet në shtëpi dhe shfaqet plotësisht me identitetin e tij të vërtetë, fantazia merr fund dhe realiteti i tmerrshëm – realiteti i tij i tmerrshëm – i shkatërron ata duke u zbuluar se çfarë janë në të vërtetë. Ata janë vetëm hije. Ai është realiteti, gjëja e vërtetë.

Ndëshkimi i tyre, që ngjan ekstrem, është ndëshkimi që realiteti u jep atyre që fantazojnë shumë.

Në tërësi poema na thotë se jeta nuk është të shkosh diku. Fundi që imagjinojmë për të – fushat Elize, Hadi, parajsa, shtëpia – nuk janë ato që na ofrojnë atë që ne mendojmë se duam: një fund për shqetësimet tona, një fund për luftën dhe grindjen.

Ajo që ne duam te dëshira për fundin, siç na thotë poema, është thjesht vdekja, në një nga format e saj të shumta. Dhe ajo në fund, me siguri që do të na gjejë. /Dita/

Më shumë mund të lexoni duke klikuar KËTU