LAJMI I FUNDIT:

Ministrja Ziviq vizitoi fermerët në Komunën e Shtërpcës

Ministrja Ziviq vizitoi fermerët në Komunën e Shtërpcës

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviq gjatë ditës ka vizituar fermerët e fshatrave Sushicë dhe Beroc në Komunën e Shtërpcës.

Me këtë rast, ministrja Ziviq pati rastin të takohet me fermerët e kësaj ane, të cilëve ua ka prezantuar Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të MBPZHR-së për këtë vit dhe i ka njoftuar ata me masat e këtyre programeve, përmes të cilave ajo theksoi se do t’u ofrojnë atyre mbështetje në një numër të madh të aktiviteteve bujqësore.

“Ne kemi për qëllim që të inkurajojmë të gjithë fermerët, si dhe t’i motivojmë ata që të aplikojnë me projektet e tyre në programet mbështetëse të MBPZHR-së kështu që së bashku të kontribuojmë në ndërtimin e një klime të favorshme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë”, tha ministrja.

Me këtë rast, fermerët patën rastin që të tregojnë edhe për problemet më të cilat ballafaqohen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre bujqësore.

Fermeri Goran Miliq i cili merret me blegtori dhe në fermën e tij ka 80 krerë dele e gjithashtu kultivon edhe 70 ari me mjedër, ka thënë se përkrahja institucionale për zhvillimin e bujqësisë është e domosdoshme dhe theksoi se pret mbështetje nga MBPZHR-ja për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me mjedër.

Krahas tij, edhe fermerët tjerë të vizituar sot gjatë ditës kanë shprehur interesimin e tyre për zgjerimin e veprimtarive të tyre bujqësore, por që për këtë ata theksuan se iu duhet mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë.

Ndryshe, në Komunën e Shtërpcës janë mbi 800 familje, të cilat nder vite me sukses merren me kultivimin e mjedrës. /Telegrafi/