eksperti-banner

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se në kuadër të aksionit për pastrimin e vendit, qytetarët do të mund t’i dorëzojnë mbeturinat e tyre në deponitë sanitare të Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).

Sipas njoftimit, “për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësi t’i dorëzojnë mbeturinat e tyre në deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK)”.


Ministria e cilëson këtë si “një hap të rëndësishëm drejt eliminimit të deponive ilegale dhe krijimit të një sistemi më të rregullt, të sigurt dhe të ligjshëm për menaxhimin e mbeturinave”.

Pranimi i mbeturinave nga qytetarët do të bëhet në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë, çdo të shtunë nga ora 08:00 deri në 16:00. Tarifa do të jetë 10.31 euro për ton, ndërsa pagesa do të kryhet vetëm me kartelë bankare.

Në njoftim theksohet se “në deponi do të lejohen vetëm mbeturinat e parrezikshme, sipas legjislacionit në fuqi”, ndërsa mbeturinat e rrezikshme, toksike, spitalore dhe shpërthyese nuk do të pranohen.

Po ashtu, Ministria paralajmëron se “çdo hedhje e mbeturinave në natyrë apo në vende të papërshtatshme do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të ndëshkohet sipas ligjit”.

“Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/