LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Ekologjisë heq dorë nga deponitë e egra në Tearcë

Ministria e Ekologjisë heq dorë nga deponitë e egra në Tearcë

Ministria e Ekologjisë ka hequr dorë nga ndihma për Tearcën për të pastruar deponitë e egra. Nuredini thotë se prioritet ka deponia rajonale. Kreu i Tearcës tha se të gjitha deponitë do t’i pastrojë vet Komuna.

“Kjo deponi fillimisht në vitin 2015 u krijua për të hedhur materialet inerte nga vërshimet që ndodhën në Poroj dhe Shipkovicë. Por, më vonë filloi të keqpërdoret nga disa banorë të papërgjegjshëm dhe më vonë, në këtë deponi, filluan të hidhen edhe mbetje të llojeve të ndryshme. Që atëherë nga ministria e ekologjisë por edhe komuna, ka pasur gati çdo muaj premtime që kjo deponi do hiqet, duke kërkuar madje edhe ndihmë nga Qeveria, që të subvencionohet me naftë sepse komuna nuk ka mundësi ta pastroj vetë. Megjithatë, që nga 2015 kanë kaluar gati tetë vite dhe kjo deponi vazhdon të jetë në këtë gjendje, madje duke u përkeqësuar nga dita në ditë. Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, sipas kreut të komunës, deponi të këtilla në atarin e komunës së tearcës, janë gjithsej njëmbëdhjetë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.


Edhe pse nga Ministria e Ekologjisë kishin premtuar ndihmë për komunën për largimin e deponisë, tani ministri ka ndryshuar qëndrimin.

“Derisa nuk e rregullojmë deponinë rajonale në Pollog, nuk ka nevojë të pastrojmë deponi, sepse atë deponi do ta dërgojmë tjetër kund. Pra ta rregullojmë deponinë në Rusino siç është paraparë dhe pastaj do fillojmë të pastrojmë deponitë e egra në shtetin tonë”, tha Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.

Në mungesë të ndihmës nga ekologjia, kreu i Tearcës Nuhi Neziri tha se pastrimin duhet ta kryejë komuna.

“Ne kemi disa vende të cilat janë për grumbullimin e mbetjeve inerte, por fatkeqësisht qytetarët tanë i kepërdorin për hudhje të mbetjeve tjera, edhe pse i mbledh operatori. Por gjithsesi ne mbetemi të përkushtuar për të gjetur mundësinë e ridestinimit të tyre. Fuqia financiare në kuptimin e këtyre menaxhimeve është e pamundur por pjesë po. Nuk është vetëm ajo deponi, ajo është njëra nga më të mëdhatë, ndërsa në gjithë komunën janë rreth 11 apo 12 të atilla dhe paraqesin ndotje sikur të jenë edhe një metër kub”, u shpreh Nuhi Neziri, Kryetar i komunës së Tearcës.

Për hedhjen e mbetjeve nëpër deponi të egra, ka pasur një sërë dënimesh që janë bërë nga inspektorati komunal i ekologjisë, por ky fenomen edhe më tej vazhdon të ndodh. Së shpejti pritet që të mblidhen krerët e nëntë komunave të pollogut për të arritur marrëveshje për një lokacion për hedhje të mbetjeve të forta./Alsat.mk