LAJMI I FUNDIT:

Mini klasik rikthehet, por me motor elektrik që prodhon 120 kuaj-fuqi

Mini klasik rikthehet, por me motor elektrik që prodhon 120 kuaj-fuqi

Pronarët e veturave klasike Mini, prej tani do të kenë rastin të modernizojnë veturën e tyre dhe t’i bëjnë në aspektin ekologjik të pranueshëm – duke i bërë me motor elektrik.

Mini klasik janë bërë objekt i projekteve të ndryshme të modifikimit të veturave gjatë viteve të fundit, e deri më tani kemi pasur rastin të shohim raste si Mini me motor V6 nga Acura që prodhon 500 kuaj-fuqi, e ata që duan diçka ekologjike dhe të ruajnë “pakon origjinale”, BMW ka zgjidhje, transmeton Telegrafi.


Fjala është për programin Mini Recharged ku pronarët e veturave klasike Mini ftohen që mjetet e tyre t’i shndërrojnë në vetura elektrike – duke u futur motor elektrik të punuar enkas për karrocerinë e tyre.

Çmimet për këto shërbime deri më tani nuk janë zbuluar, por nga Mini pretendojnë se motorët e vjetër nuk hidhen në mbeturina, përkundrazi ruhen nëpër depo me qëllim që nëse pronari ndërron mendje mund ta ketë sërish motorin me djegie të brendshme.

Mini premton se ndjenjën se po vozitni një veturë klasike por me motor elektrik nuk do ta humbni, e pritshme është që do të ketë përmirësim të performansave në raport me Mini klasik, pasi Mini Recharged vjen me motor elektrik me 120 kuaj-fuqi.

Hatchbacku i vogël e arrin shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë për nëntë sekonda, që i bie afro katër sekonda më shpejtë sesa versioni standard.

Detajet e kapacitet të baterisë gjithashtu nuk dihen deri më tani, por pritet qe me një mbushje të saj – Mini të përshkojë mbi 160 kilometra. /Telegrafi/