LAJMI I FUNDIT:

Microsoft thotë se Irani qëndron pas sulmit të hakerëve ndaj revistës franceze Charlie Hebdo

Microsoft thotë se Irani qëndron pas sulmit të hakerëve ndaj revistës franceze Charlie Hebdo

Një ekip hakerash i mbështetur nga qeveria iraniane dyshohet se vodhi dhe zbuloi të dhënat private të klientëve që i përkisnin revistës satirike franceze Charlie Hebdo, thanë të premten studiuesit e sigurisë në Microsoft.

Revista u hakerua në fillim të janarit pasi publikoi një seri karikaturash që përshkruan negativisht figurën e liderit suprem të Iranit Ayatollah Khamenei. Karikaturat ishin pjesë e një fushate mediatike që Charlie Hebdo tha se kishte për qëllim të mbështeste protestat antiqeveritare në kombin islamik.


Asnjë nga përfaqësuesit e qeverive iraniane dhe franceze nuk u përgjigjën ndaj kërkesave për koment në lidhje me rastin. Një zyrtar i shtypit për Charlie Hebdo tha se revista nuk kishte asnjë koment mbi këtë çështje “për momentin”, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Irani u zotua publikisht për një “përgjigje efektive” ndaj karikaturave “fyese” dhe thirri të dërguarin francez në Teheran, duke i dhënë fund aktiviteteve të Institutit Francez të Kërkimeve në Iran dhe tha se po rivlerësonte aktivitetet kulturore të Francës në Iran.

Hulumtuesit e Microsoft-it thanë në një raport, se hakimi dhe rrjedhja e informacioneve që synonte Charlie Hebdo ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të ndikimit digjital me teknika që përputheshin me aktivitetin e identifikuar më parë të lidhur me ekipet e hakerave të mbështetura nga shteti iranian. Grupi përgjegjës është i njëjti që zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së identifikuan më herët se kishte kryer një “fushatë të gjithanshme” për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës në SHBA, tha Microsoft. Irani i mohoi pretendimet e bëra në atë kohë.

Mes kritikave të Iranit për karikaturat e Khameneit, një grup hakerësh që e quajnë veten “Shpirtrat e Shenjtë” – “Holy Souls”, postuan në një forum në internet se kishin qasje në emrat dhe detajet e kontaktit të më shumë se 200,000 abonentëve të Charlie Hebdo. Në postimin e tyre, ata thanë se do ta shisnin informacionin për 20 bitcoin (434 mijë euro – 470 mijë dollarë).

Një mostër e të dhënave të rrjedhura u publikua më vonë dhe pastaj u verifikua si autentike nga gazeta franceze Le Monde.”Ky informacion, i marrë nga aktori iranian, mund t’i vërë abonentët e revistës në rrezik për shënjestrim në internet ose shënjestrim fizik nga organizatat ekstremiste”, deklaruan studiuesit e Microsoft.

Për të përforcuar operacionin e tyre, hakerët iranianë përdorën llogari në Twitter me identitete të rreme ose të vjedhura për të kritikuar karikaturat e Khameneit. Dy llogari që imitojnë një redaktor të Charlie Hebdo dhe një ekzekutiv të teknologjisë postuan gjithashtu të dhënat e zbuluara përpara se Twitter t’i largonte profilet e tyre nga platforma e vet, bëri të ditur Microsoft. /Telegrafi/