LAJMI I FUNDIT:

#MeTooPay – fushata e biznesmenëve britanikë kundër diskriminimit gjinor në paga

#MeTooPay – fushata e biznesmenëve britanikë kundër diskriminimit gjinor në paga

Një grup prej 100 biznesmenëve më të suksesshme në Britani të Madhe kanë nisur një fushatë për të ngushtuar hendekun gjinor në paga. Disa prej emrave më të mëdhenj të korporatave britanike janë pas iniciativës #MeTooPay përfshirë Dame Minouche Shafik, që mund të jetë guvernatorja e ardhshme e Bankës së Anglisë dhe shefja e Glaxo Smith Kline, Emma Walmsley.

Fushata u nis nga një rast paragjykimi gjinor që përfshinte bankën e BNP Paribas dhe drejtohet nga ish-shefja e Royal Mail, Moya Greene.

“Diskriminimi në paga është më i përhapur nga sa kemi menduar, megjithëse kemi pasur ligje në letër për 40 vite. Ne duam ta mbajmë zgjuar shqetësimin mbi këtë çështje. Shumica e kompanive kanë politika shumë të mira, por në shumicën e rasteve ato nuk vihen si duhet në zbatim dhe as nuk po shpien në rezultate të mira”, tha Greene për BBC, përcjell Telegrafi.

#MeTooPay ka nisur fushatën në media sociale për ta mbajtur në qendër të vëmendjes problemin e hendekut të pagave mes gjinive.

Grupi u trondit nga eksperienca e punëtores Stacey Macken, e cila punonte në Departamentin e Ndërmjetësimit në BNP Paribas. Një gjykatës zbuloi se rroga e saj bazë ishte 25 për qind më e ulët se ajo e kolegut të saj mashkull dhe se bonusi i parë vjetor i saj ishte më pak se gjysma e kolegut. Kjo pavarësisht gradave të njëjta në performancën e punës.

Tre vite pas iu bashkua bankës, diferenca mes bonusit të Macken dhe atij të kolegut mashkull ishte zgjeruar me 85 për qind. Macken fitoi pretendimin e saj për diskriminim seksual ndaj bankës së investimeve.

“Është pjesë e një serie rastesh diskriminimesh të një profili të lartë që ne kemi pikasur 12 deri në 18 muajt e fundit. Diskriminimi në paga është thellësisht një çështje menaxhimi, ata vendosin se sa do paguhet secili”, tha Moya, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, ajo tha se në shumicën e rasteve diskriminimi nuk ishte i qëllimshëm, por një rast i një “paragjykimi të pavetëdijshëm”.

Moya Greene, udhëheqja e kampanjës #MeTooPay

Faqja e internetit e fushatës do të përfshijë rastet më të fundit të diskriminimit të pagave, shënimet e detajeve të rasteve të rëndësishme nëpër gjykata dhe të sigurojë një vend “për të ndarë politikat e mira dhe të këqija që po ndërmerren”. Do të kërkojë të dhëna nga profesionalistë në vendin e tyre të punës, përfshirë ekspertë kompensimesh, të cilët mund të ndihmojnë në vlerësimin e saktë të dallimeve në paga mes gjinive dhe ekspertë negocimi, të cilët mund të ndihmojnë gratë që të arrijnë marrëveshje më të mira page, përcjell Telegrafi.

Moya mori vëmendjen e medieve kur pasardhësi i saj te Royal Mail, Rico Back u pagua 100 mijë sterlina ose 17 për qind më shumë se ajo në pagën bazë. Firma e shërbimit postar, tha se niveli më i lartë i pagës ishte kompensim për kontributet më të ulëta në skemën e tij të pensionimit.

“Mendova se kjo ishte diçka e drejtë. Unë mora një shpërblim pensionimi që ishte i përshtatshëm për kohën”, tha ajo.

Duke komentuar mbi ato çfarë ajo bëri te Royal Mail për të përmirësuar diversitetin, ajo tha se, “logjistika është dhe ishte një industri e dominuar nga meshkujt. Unë mendoj se te Royal Mail ne ishim në gjendje të rrisnim numrin e grave në të gjitha rolet. Ne gjithashtu u përpoqëm të rrisim ndërgjegjësimin se logjistika kishte ende rrugë për të bërë në aspektin e barazisë gjinore”. /Telegrafi/