Ylli argjentinas i futbollit, Lionel Messi, po përballet me një padi të ngritur nga një kompani promovuese me bazë në Florida, e cila e akuzon atë për mashtrim dhe shkelje të kontratës, pas mungesës së tij në një ndeshje të Kombëtares së Argjentinës vitin e kaluar, raportojnë mediat amerikane, përfshirë TMZ.

Kompania VID, me seli në Miami dhe e specializuar në organizimin e ngjarjeve sportive dhe muzikore, ka dorëzuar padi kundër Messit dhe Federatës së Futbollit të Argjentinës, duke pretenduar humbje financiare në miliona dollarë.


Sipas padisë, VID kishte arritur një marrëveshje me federatën argjentinase me vlerë rreth 7 milionë dollarë për të drejtat ekskluzive të dy ndeshjeve miqësore: Argjentina ndaj Venezuelës dhe Argjentina ndaj Porto Rikos, të zhvilluara në muajin tetor.

Si pjesë e marrëveshjes, pretendohet se Messi ishte i detyruar të luante të paktën 30 minuta në secilën ndeshje, përveç rasteve të lëndimit.

Megjithatë, Messi nuk mori pjesë në fushë në ndeshjen ndaj Venezuelës, duke e ndjekur atë nga tribunat e stadiumit Hard Rock, ndërsa më pas u përfshi në angazhimet me klubin e tij Inter Miami.

Ai u paraqit në ndeshjen kundër Porto Ricos, ku kontriboi me asistime në fitoren 6–0 të Argjentinës.

VID pretendon gjithashtu se ka pësuar humbje mbi një milion dollarë për shkak të zhvendosjes së një prej ndeshjeve nga Chicago në Fort Lauderdale, duke e cilësuar këtë ndryshim si faktor që ndikoi negativisht në shitjen e biletave.

Ndërkohë, autoritetet sportive dhe organizatorët kanë dhënë versione të ndryshme për ndryshimet në organizim, duke përmendur arsye logjistike dhe probleme me pjesëmarrjen dhe kërkesën për bileta.

Sipas padisë, federata argjentinase kishte premtuar kompensim përmes organizimit të ndeshjeve të ardhshme në Kinë gjatë vitit 2026, por këto ndeshje nuk janë realizuar.

VID kërkon kompensim të plotë për dëmet e pretenduara, si dhe dëmshpërblim shtesë.

Rasti vjen pak kohë pasi Major League Soccer (MLS) dhe Vancouver Whitecaps arritën një marrëveshje në një padi kolektive lidhur me marketingun e ndeshjeve të Inter Miami, ku pretendohej se tifozët ishin nxitur të blinin bileta me pritjen që Messi dhe yjet e tjerë do të luanin, por disa prej tyre nuk morën pjesë në ndeshje. /Telegrafi/

telegrafi sport app