LAJMI I FUNDIT:

Mesha e Pashkës në Vatikan, pagëzohen dhe kungohen edhe shqiptarë

Mesha e Pashkës në Vatikan, pagëzohen dhe kungohen edhe shqiptarë

Përpara 70 mijë besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi dhimbjet e vuajtjet në planet e foli për paqen dhe për shpresën. Kishin kaluar pak orë nga sulmet në Shri Lanka, e ati i shenjtë i bëri ato pjesë të fjalimit të përvitshëm të Pashkëve urbi et orbi, drejtuar qytetit dhe botës.

“E mësova me një trishtim të thellë lajmin e hidhur të atentateve të rënda, që pikërisht sot, në ditën e pashkëve, mbollën zi e dhimbje në Sri Lanka. Dua të shpreh afrimin tim të sinqertë me komunitetin e krishterë të goditur ndërsa lutej, ashtu si edhe të gjitha viktimave të tjera të një dhune kaq mizore. Përpara vuajtjeve të tilla të shumta të kohës tonë, uroj që Zoti të mos na gjejë të ftohtë dhe indiferente. Uroj që të na kthejë në ndërtues urash, e jo muresh”, tha Papa.

Kreu i kishës katolike po ashtu për paqe në Siri, Jemen, të gjithë Lindjen e Mesme e u lut të reshtin konfliktet në Afrikë e Ukrainë. Mbrëmjen e së shtunës, Papa kremtoi meshën e vigjiljes së pashkëve në katedralen e Shën Pjetrit nga ku i inkurajoi njerëzit t’i rezistojnë “shkëlqimit të pasurisë”, përcjell tch.


“Lutemi për mëshirë dhe nuk duhet të dorëzohemi para një deti problemesh, nuk duhet të humbim shpresën në malin e mëkateve, mosbesimit dhe frikës”, ishte mesazhi i atit të shenjtë 82-vjeçar në shërbesën e mbajtur në Vatikan për festën që në besimin katolik, shënon ringjalljen dhe fitoren e jetës ndaj vdekjes.

“Zoti largon edhe gurët më të mëdhenj që i vendosën shpresave dhe pritshmërive të tona. Emigrantët mbajnë kryqe e gjejnë dyer të mbyllura për shkak të frikës dhe zemra të mbyllura për shkak të kalkulimeve politike”, tha ai më tej.

Gjatë liturgjisë, Ati i shenjti pagëzoi e i dha kungimin e parë pesë burrave e tre grave nga Shqipëria, Ekuadori, Indonezia, Italia dhe Peruja.

Pashkët janë festa qendrore e të krishterëve në mbarë botën. Çdo vit me qindra mijëra besimtarë mblidhen në Romë për të festuar ringjalljen e Krishtit, dhe për fjalimin tradicional të Papës këtë radhë, sheshi i Shën Pjetrit ishte stolisur me 55.000 lule.