Mesfushori shqiptar i skuadrës gjermane Darmstadt, Klaus Gjasula, në një intervistë për RTV Dukagjini ka rrëfyer për eksperiencën gati njëvjeçare me klubin e Bundesliga 2.

Gjasula thotë se në klubin e ligës së dytë gjermane është pritur mjaft mirë, pasi edhe skuadra ka qenë në gjendje shumë të vështirë.

“Më kanë pritur shumë mirë dhe ma kanë bërë të lehtë transferimin, pasi nuk ishin në gjendje shumë të mirë”, ka deklaruar Gjasula në një interviste me Kadrie Canollin në RTV Dukagjini.

Darmstadt aktualisht ndodhet në vendin e katërt në renditje të Bundesliga 2, dhe ka gjasa mjaft të mira për t’u ngjitur në elitën e futbollit gjerman.

Mesfushori shqiptar thotë se para kalimit te Darmstadt ka kaluar momente të vështira. Sipas 32-vjeçarit, edhe eksperienca e vëllait Jurgenit, që është po ashtu futbollist, i ka ndihmuar shumë në karrierë.

Duke folur për Kombëtaren e Shqipërisë, Gjasula ka theksuar se ka besim se do të arrijnë sa më shumë, pse jo edhe me kalimin e grupit.

“Kemi ndeshje shumë të vështira, por mendoj se janë kundërshtarë që ne mund t’i përballojmë. Janë kombëtare të Evropës që kanë shumë eksperiencë, por edhe ne jemi rritur kohëve të fundit shumë si kombëtare dhe kemi talente. Kam besim te kombëtarja dhe besoj e shpresoj të arrijmë sa më shumë dhe ta kalojë grupin”, deklaroi tutje mesfushori i Shqipërisë dhe Darmstadtit. /Telegrafi/