LAJMI I FUNDIT:

Mes përplasjesh në Komisionin për Ekonomi miratohen emrat për bord të AKP-së

Mes përplasjesh në Komisionin për Ekonomi miratohen emrat për bord të AKP-së

Me debat e përplasje verbale mes deputetësh është përcjell mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku përkundër kësaj, u miratua lista e emrave të propozuar nga qeveria për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kryetari i komisionit, Ferat Shala tha se është për emërimin e këtij bordi, porse tha se pikërisht tek kryesuesi i këtij bordi, Nazmi Mikullovci ka konflikt interesi.

“Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet të plota në ndërmarrjen Trepça, periudhë që Trepça është dëmtuar shumë. Në periudhën e tij, është harruar një minierë e tërë në Llap, kur janë bërë regjistrimet e aseteve pas luftës. Aset i Trepçës, 5km korridore të hapura, një minierë e tërë e përgatitur për eksploatim dhe sot 25 vjet pas luftës, kemi probleme të mëdha juridike lidhur me këtë zonë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për qeverinë mos me na sjellë një pensionist që ishte menaxher në kohën e regjimit”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti për afatin e shuarjes së AKP.

“Këtu nuk po e shoh që ka një mandat që do të shkohet për 2 vite apo më gjatë. Më tepër po e shoh politike, është bord për shuarjen e AKP. Unë nuk pajtohem derisa nuk e dimë sa do të zgjasë shuarja e AKP. Shuarja duhet të fillojë me plotësim-ndryshimin e ligjit. Kam dëshirë të di se sa është mandati i tyre”, tha Lekaj.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari – Lila, siç njofton Kp tha se qeveria nuk e ka mandatin të caktojë se sa do të zgjasë shuarja e Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

“Unë jam e bindur që ky bord do të jetë i fundit në AKP. Përgatitja e anëtarëve është ndoshta më e mira që kemi pasur deri më tash. Ky bord ka me bë transformim të politikave. Për herë të parë janë tri gra të cilat janë të propozuara për bordin e AKP-së. Unë shpresoj që ne përveç që e kalojmë në komision dhe në seancë, të jemi aktiv në punën tonë të përbashkët me bordin. Është treni i fundit për të shpëtuar asestet e fundit që nuk janë shitur në vlerën minimale siç janë shtyrë më herët”, tha ajo.

Kurse, deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi tha se njëherë është dashur të sillej plotësim-ndryshimi i ligjit dhe jo emrat puro-politik për bordin.

Kritika adresoi për Lëvizjen Vetëvendosje duke e sugjeruar që të ndërroj emrin në “Vetëkapje”, pasi sipas saj kjo e fundit ka kapur shtetin.

“Tani po e emëroni një bord puro-politik. Unë pajtohem me dy parafolësit e mi, jemi kundër. Është shumë mirë që qytetarët po e shohin se ju keni ardhur në pushtet me kauzën për ç’kapjen e shtetit por e keni kapur shtetin. Ju kisha propozu që Vetëvendosjes me ja ndërru emin në ‘Vetkapje’”, tha ajo.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se problemi është përmbajtjesor.

Ai tha se duhet të shtyjnë përpara politikat e majta.

“Ne po shpresojmë ta korrektojmë këtë kurs. Z. Nazmi Mikullovci është një prej profesionistëve më të mirë që ka pasur Trepça”, tha ai.

Ndërsa një gjë të tillë e kundërshtoi kryetari i komisionit, Ferat Shala, i cili tha se kjo është e pasaktë.

“Gjithmonë kemi pasur problem këtë koncept ekstrem majtist. Jeni gabim. Krejt këto janë bindje politike. 2.4 milionë ton rezerva plumb zinku, janë rreth 240 milionë euro aset që do të mund të punësoheshin rreth 500 punëtorë në zonën kufitare të Llapit. Unë jam i bindur që një pjesë e LVV dhe shumë qytetarë nuk e dinë këtë. Unë këtu e kam hallin, është çështja e pretendentëve, është gjynah shtetëror”, tha Shala.

Ndërsa deputeti Lekaj tha se pajtohet me Lëvizjen Vetëvendosje që t’i shtyjë përpara politikat e veta me njerëz te saj, e që janë nga e majta, por kërkoi nga ta që të mos kritikojnë ish-qeveritë.

“Mos kritikoni për të kaluarën. Unë pajtoj që politikat e juaja me i shty me njerëzit tuaj. Pikë. Por, para se me ardh tek ky bord është dashur me ardh me ndryshimin e këtij ligji. Doni me shku në bankrotim të shtetit. Z. Mikullovci i ka 78 vjet dhe ka mentalitet të ish-sistemit”, tha Lekaj.

Në këtë pikë reagoi ashpër Kusari – Lila, e cila tha se presidenti i Amerikës Joe Biden është pikërisht 78 vjeçar, ndërsa tha se potencimi i moshës është diskriminim.

Porse këtu ndërhyri deputetja Valentina Bunjaku, e cila tha se ishte pikërisht deputetja Mimoza Kusari që para 2 jave ka pyetur një anëtar të Bordit te Agjencionit Kundër Korrupsionit për pensionimin e tij.

“Ti e ke pyet vet një anëtar të bordit ‘a ke dalë në pension që 2 muaj'”, theksoi ajo derisa një gjë të tillë e mohoi Kusari -Lila.

Ndryshe, një ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për kandidatët e rinj për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Emrat e propozuar dhe miratuar nga Qeveria për anëtarë të këtij bordi janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.