LAJMI I FUNDIT:

Merkel: Mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani mund të nxisë ikjen e bizneseve, kërkojmë punëtorë jashtë vendeve të BE-së

Merkel: Mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani mund të nxisë ikjen e bizneseve, kërkojmë punëtorë jashtë vendeve të BE-së

Gjermania shpreson të punësoj punëtorë të kualifikuar nga jashtë vendeve të Bashkimit Evropian për të parandaluar kompanitë që të ikin jashtë vendit. Për të mbushur boshllëqet, Berlini po kërkon punëtorë nga Meksika, Vietnami dhe India.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, më anë të një paraqitje, ka ngritur alarmin për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në vend, duke thënë se kjo mund të detyrojë kompanitë të zhvendosen diku tjetër.


“Ne e dimë se shumë sektorë dhe biznese janë në kërkim të punëtorëve të aftë. Pa punëtorë të aftë, një biznes nuk mund të jetë i suksesshëm. Kjo është arsyeja se pse është e nevojshme që ne të bëjmë çdo përpjekje për të rekrutuar specialistë. Përndryshe, kompanitë do të duhet të migrojnë dhe natyrisht ne këtë nuk e duam”, tha Merkel, shkruan Deutsche Welle.

Paralajmërimi i kancelarës vjen përpara takimit mbi këtë çështje, midis përfaqësuesve të qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave.

Ambasada gjermane në Prishtinë shpjegon detajet si duhet të aplikoni për vizë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Fuqinë Punëtore
Lexo po ashtu Ambasada gjermane në Prishtinë shpjegon detajet si duhet të aplikoni për vizë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Fuqinë Punëtore

Sipas të dhënave, tashmë janë 2.5 milionë njerëz nga vendet e BE-së që punojnë në Gjermani.

“Nuk është e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja se pse ne duhet të kërkojmë punëtorë të aftë nga jashtë Bashkimit Evropian”, tha Merkel.

Më 1 mars të 2020-së pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë gjashtë mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë. Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Samiti pritet të trajtojë temën se si do të zbatohet Ligji, me një memorandum mirëkuptimi që pritet të miratohet në fund të takimit.

Më 1 mars 2020 pritet të hyjë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore - MPJ gjermane hap zyrën për përshpejtimin e vizave
Lexo po ashtu Më 1 mars 2020 pritet të hyjë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore - MPJ gjermane hap zyrën për përshpejtimin e vizave

Një draft i dokumentit, i cituar nga grupi gjerman i gazetave Redaktionsnetzëerk Deutschland (RND), tregon se bëhet thirrje për punësimin e punëtorëve shtesë dhe hapjen e një zyre qendrore që do të ndihmojë në përshpejtimin e përpunimit të vizave. Gjithashtu, dokumenti parasheh që gjuha gjermane duhet të mësohet në vendet e tyre të origjinës.

Gjermania ka më shumë nevojë për inxhinierë, kuzhinierë, infermierë, punëtorë të kujdesit shëndetësor për të moshuarit, teknikë të teknologjisë dhe programer.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil i ka thënë gazetës Augsburger Allgemeine, se makina e rekrutimit “nuk ka të bëjë me emigracionin e pakontrolluar, por për njerëz të kualifikuar, të cilët na duhen në mënyrë që Gjermania të vazhdoj të mbetet ekonomikisht i fortë në të ardhmen”. /Deutsche Welle/