LAJMI I FUNDIT:

Mehaj: Ushtria jonë po furnizohet me armatim dhe pajisje moderne

Mehaj: Ushtria jonë po furnizohet me armatim dhe pajisje moderne

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se “investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht”.

Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 23 vite pas eksodit të mbi një milion shqiptarëve, Republika e Kosovës është më e fortë politikisht e ushtarakisht.


“Ushtria jonë është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne. Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Muja, transmeton Telegrafi.

“Investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht. Forcimi dhe pajisja e ushtrisë sonë, është garanca kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon”, ka shkruar ai.

Më tej, Muja ka thënë se “ne kurrë nuk do të lejojmë më që populli ynë të përjetojë krimet, dëbimet, masakrat, dhunën, terrorin e gjenocidin që e kishte përjetuar gjatë luftës 1998-1999”.

Duke kujtuar eksodin e shqiptarëve të Kosovës, 23 vjet më parë, Mehaj tha se mbi një milionë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga forcat paramilitare serbe. “Të dëbuarit u vendosën kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi”.

“Populli ynë përjetoi përndjekje e dëbime vetëm pse kërkonte të drejtat e tij dhe mbi të gjitha vetëm pse ishte shqiptar. Spastrimi etnik, ishte qëllimi kryesor i shtetit kriminal serb”.

“Gjatë luftës së vitit 1998-1999 i dolëm në ballë armikut me ato mundësi e mjete që kishim, mbrojtëm popullin aq sa mundëm dhe në fund fituam lirinë e vendit tonë, falë edhe ndihmës së jashtëzakonshme të SHBA-ve” ka shkruar Mehaj. /Telegrafi/