LAJMI I FUNDIT:

Meditim për Don Kishotin

Meditim për Don Kishotin

Nga: Zija Vukaj

Kush është Don Kishoti dhe pse e quajmë të marrë?


Ai tekefundit nuk ka – dhe të gjithë e njohin – veçse një aspiratë të vetme e të shenjtë: drejtësinë. Do të mbrojë të dobëtit dhe të shkatërrojë të dhunshmit, t’u gjejë derman poshtërimeve të fatit, të hakmerret për dhunimet e ligësisë.

Sa më e bukur dhe e fisme do të ishte jeta, më e drejtë bota, nëse mendimet e Don Kishotit do të realizonin efektin e tyre! Don Kishoti është zemërbutë, me ndjenja të shijshme, dorëlëshuar dhe i pakujdesur për vete, gjithçka për të tjerët. Dhe sa mirë që flet! Sa çiltërsi e bujari në gjithë ato që thotë! Ai e konsideron sakrificën si një detyrë dhe të gjitha veprimet e tij, së paku në mendim, meritojnë lavdërim e mirënjohje.

E ku është satira, atëherë? Ne të gjithë e duam këtë kalorës të virtytshëm; dhe fatkeqësitë e tij, nëse nga njëra anë na bëjnë të qeshim, nga ana tjetër na prekin thellë.

Nëse Servantesi donte të fshikullonte librat e kalorësisë për efektet e këqija që prodhonin te shpirtrat e bashkëkohësve të vet, shembulli që ai jep me Don Kishotin nuk është me vend. Efekti që ata libra prodhojnë tek Don Kishoti nuk është shkatërrimtar përveçse për të, për hidalgon e gjorë. Dhe është kaq shkatërrimtar vetëm për arsye se idealizmi kalorësiak nuk mund të pajtohej me realitetin e kohëve të reja.

E pra, këtë e kishte pësuar në kurriz të vet, Miguel Servantesi i Saavedrës. Si është vlerësuar ai për heroizmin e vet, për dy plagët e marra dhe për dorën e humbur në betejën e Lepantos, për skllavërinë e vuajtur për pesë vjet në Algjeri, për vlerën e treguar në sulmin e Tercierës, për fisnikërinë e shpirtit, për zgjuarsinë e madhe, për thjeshtësinë e durimin? Ç’fat do të kishin ëndrrat, bujaritë, që e kishin nxjerrë të luftonte në fushat e betejës e të shkruante faqe të pavdekshme? Ishte armatosur kalorës si Don Kishoti i vet, kishte luftuar, duke u ballafaquar me armiq e rreziqe të çdo lloji për çështje të drejta e të shenjta, ishte ushqyer gjithmonë nga idealet më të larta e fisnike. E çfarë shpërblimi kishte pasur prej tyre? Pasi kishte vuajtur mjerisht jetën në punë të padenja për të; në fillim i shkishëruar, si komisar i nozullimeve ushtarake në Andaluzi, pastaj si tagrambledhës, i mashtruar, a nuk përfundoi vallë në burg? E ku është ai burg? Aty, pikërisht në Mançë! Në burgun e errët dhe të rrënuar të Mançës, lindi Don Kishoti.

Por, tashmë kishte lindur më parë Don Kishoti i vërtetë: kishte lindur në Alkala më 1547. Nuk e kishte njohur veten akoma, nuk e kishte parë akoma mirë: kishte besuar të ndeshej me gjigantët e të kishte në kokë helmetën e Mambrinit. Aty, në burgun e errët të Mançës, ai e njohu veten, e pa më në fund: vuri re se gjigantët ishin mullinj me erë dhe helmeta e Mambrinit ishte një pjatë berberi e pavlerë. Shihej e qeshte me veten e vet. Qeshnin të gjitha dhimbjet e tij. Ah, i çmendur! I çmendur! I çmendur! Në zjarr të gjithë librat e kalorësisë!

Përveç mbivlerës së ardhshme! Lexoni në të njëjtin prolog të pjesës së parë atë çfarë Servantes i thotë lexuesit bjerraditë: “Unë nuk kam mundur të shkel rregullën e natyrshme, e cila do që çdo gjë të lindë të ngjashmin e vet. E kështu, çfarë mund të lindë vallë mendja ime shterpë dhe e keqlëruar, përveçse një bir të thatë, të zverdhur e trillan, plot mendime të ndryshme, të paimagjinueshme kurrë deri tani prej askujt; lindur siç qe ai në burg ku rri çdo shtrëngesë dhe ka dhomën çdo trishtim?”

Po si do të shpjegohej ndryshe hidhërimi i thellë që ndjek si hije çdo hap, çdo veprim qesharak, çdo ndërmarrje të çmendur të atij fisniku të gjorë të Mançës? Është ndjenja e ndëshkimit që frymëzon vetë shëmbëlltyrën tek autori, kur, e përshkuar tej për tej, siç është nga dhimbja e tij, e do këtë shëmbëlltyrë qesharake. Dhe e do kështu, sepse meditimi, frut i përvojës shumë të hidhur, i ka sugjeruar autorit ndjenjën e kundërshtisë, përmes së cilës e njeh gabimin e vet dhe dëshiron të ndëshkohet me shpotinë që të tjerët do të bëjnë për të.

Pse Servantesi nuk i këndoi Sid Kampeadorit? Po kush e di se në burgun e errët shëmbëlltyra e këtij heroi nuk iu shfaq vërtet, për t’i zgjuar një zili të ankthshme!

A nuk ndodhi vallë në atë burg, në prani të poetit, një dialog mes Don Kishotit, që në kohë të tij deshi të jetonte, jo tek ata, por jashtë kohës e jashtë botës, siç kishin jetuar kalorësit shtegtarë në legjendën apo në ëndrrat e poetëve; dhe Sid Kampeadorit, që i ndihmuar nga koha, mundi lehtësisht të bënte legjendën e historisë së vet?

Tek njerëzit e tjerë romani kalorësiak kishte krijuar në vetvete personazhe të rremë, ose më mirë, romani kalorësiak kishte dalë nga legjenda që ishte formuar rreth kalorësve. Tani çfarë bën legjenda? Shton, shndërron, idealizon, abstragon nga realiteti i zakonshëm, nga karakteri material i jetës, nga të gjitha ato ndodhi të rëndomta, që krijojnë pikërisht vështirësitë më të mëdha në ekzistencë. Sepse një personazhi, jo më të rremë, por një njeriu që merr për model shëmbëlltyrat e pamasa ideale të vendosura nga imagjinata kolektive apo nga fantazia e një poeti, që arrin të mbushë me vetvete këto maska legjendare, i duhet jo vetëm një madhështi e shpirtit të jashtëzakonshëm, por edhe koha që ta ndihmojë. Kjo i ndodh Sid Kampeadorit.

Po Don Kishoti? Kurajë e sprovuar, shpirt shumë fisnik, zjarr besimi; por kjo kurajë nuk i jep veçse dajak; ajo fisnikëri shpirti është një çmenduri; ai zjarr besimi është një shuk i mjerë leckash që ai ngulmon ta mbajë ndezur, top i mjerë, i keqndërtuar e i arnuar, që nuk arrin të marrë flakë, që ëndërron të sulet të luftojë me retë në të cilat sheh gjigantë e përbindësha e ndërkaq bie përtokë, duke u penguar në të gjitha drizat e thuprat dhe gërxhet, që e kërdisin mizorisht.