LAJMI I FUNDIT:

MCC miraton marrëveshjen e Kompaktit me vlerë 236.7 milionë dollarë për Kosovën

MCC miraton marrëveshjen e Kompaktit me vlerë 236.7 milionë dollarë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve të Korporatës Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), ka miratuar sot Kompaktin me vlerë 236.7 milionë dollarë.

Siç ka shkruar Kurti në Twitter, ky është investimi më i madh në sektorin energjetik në Kosovë deri më sot.


Qeveria e Kosovës dhe MCC finalizuan marrëveshjen Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës dhe MCC finalizuan marrëveshjen Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh

“Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë energjetik. Falënderime të veçanta për të dy ekipet tona për punën e shkëlqyer, miqtë, partnerët dhe aleatët”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa ka njoftuar për këtë vendim, ka thënë se është e nderuar që i ka udhëhequr negociatat.

“Lajm fantastik nga MCC sot. Bordi i Drejtorëve sapo miratoi Kompaktin me vlerë 236.7 milion dollarë – investimi më i madh në sektorin energjetik të Kosovës, një gur themel në tranzicionin tonë energjetik! Mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ekipit të Kosovës. Krenar për ekipin e Kosovës. E nderuar që kam udhëhequr negociatat”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndryshe, ky program do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë, i cili parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Programi do të përfshijë tri projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim. /Telegrafi/