LAJMI I FUNDIT:

Mbrojtja e Thaçit parashtron mocion ndaj akuzave të reja, pretendon se kanë defekte

Mbrojtja e Thaçit parashtron mocion ndaj akuzave të reja, pretendon se kanë defekte

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka parashtruar mocion ndaj akuzave të reja për krime lufte në Semetishtë dhe Budakovë, duke pretenduar se ato kanë defekte.

Në shkresën e mbrojtjes, thuhet se akuzat e reja të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake më 22 prill 2022 janë të mangëta për shkak të mungesës së specifikës dhe gabimeve të rëndësishme në deklarim.


Mbrojtja ka kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të urdhërohet që të ofrojë një specifikë më të madhe për sjelljen që pretendon nga ana e  Thaçit, në rast të dështimit të saj, që ZPS të urdhërohet të zvogëlojë, ngushtojë ose heqë akuzat.

“Është parashtruar, në përputhje me jurisprudencën ndërkombëtare, se kur defektet në aktakuzë shfaqen në fazën paraprake të gjykimit, ZPS nuk mund të përmbahet nga ndryshimi i aktakuzës duke argumentuar se do t’i korrigjojë të gjitha të metat përmes mbështetjes materiale ose të ngritur pas aktakuzës”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, është përgjegjësi e ZPS-së që të informojë Thaçin për rastin e saj, shkruan Betimi për Drejtësi.

“Atij nuk duhet t’i kërkohet që ta përpunojë atë duke bashkuar skemën e redaktuar shumë, materialin mbështetës ose dosjen paraprake për t’i bashkuar ato. Kjo në mënyrë të palejueshme do ta zhvendoste barrën mbi  Thaçin, duke shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë sipas nenit 21 të Ligjit, neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Do të duhet gjithashtu më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij nëse ai duhet të bashkojë çështjen kundër tij”, thuhet nga mbrojtja.

Gjithashtu nga mbrojtja thuhet se identiteti i autorëve të drejtpërdrejtë është definuar tepër gjerësisht.

“Pretendimi i identitetit të anëtarëve të NPK-së që kanë kryer drejtpërdrejt krimet e akuzuara në paragrafët 68, 105, 157, 93 dhe 174 të Aktakuzës së re është palejueshmërisht e paqartë. Konkretisht, autorët në secilin prej këtyre paragrafëve (përveç paragrafëve 68 dhe 174) përmenden thjesht si “pjesëtar/ët e UÇK-së” pa asgjë më shumë”, thuhet tutje.

Po ashtu thuhet se pretendimi i identitetit të viktimave në paragrafët 68, 105 dhe 93 të aktakuzës së re është palejueshëm i paqartë.

Sipas mbrojtjes, identiteti i viktimave janë fakte materiale që, nëse është e mundur, duhet të deklarohen në aktakuzë “pasi identiteti i viktimës është informacion i vlefshëm për përgatitjen e rastit të mbrojtjes”.

“Pretendimi i vendndodhjes së kryerjes së krimeve të supozuara në paragrafët 68, 105, 157 është palejueshëm i paqartë. Ku saktësisht në Budakovë dhe Semetishtë kanë ndodhur krimet që pretendohet se kanë ndodhur në ato paragrafë të Aktakuzës?”, thuhet tutje.

Po ashtu thuhet se roli i Thaçit në krimet e akuzuara është i pamjaftueshëm.

“Paragrafët 68, 105, 157, 93 dhe 174 janë të mangëta pasi nuk pohojnë faktet materiale të përfshirjes së Thaçit në krimet e akuzuara. Rrjedhimisht, është e paqartë se çfarë pretendohet se ka qenë roli i  Thaçit në këto krime”, thuhet nga mbrojtja.

Në fund, mbrojtja ka kërkuar që të urdhërohet ZPS që të ndryshojë aktakuzën në dritën e defekteve të identifikuara dhe nëse nuk mundet, të heqë ato akuza që janë deklaruar me të meta.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kalo në kategori