Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar për organizimin e një aksioni të gjerë pastrimi, ku kanë marrë pjesë mbi 700 vullnetarë nga kategori të ndryshme të shoqërisë.

Sipas tij, në këtë aksion janë përfshirë nxënës, studentë, profesorë, mjekë, asamblistë, ambientalistë, artistë, sportistë, zjarrfikës, gastronomë, afaristë, policë dhe qytetarë.


“700 herë faleminderit mbi 700 vullnetarëve që kontribuan në aksionin e pastrimit më të madh të parë ndonjëherë”, ka deklaruar Peci.

Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni janë pastruar një numër i madh hapësirash publike dhe deponish ilegale.

“Gjithsej u pastruan 6 deponi ilegale në Shalë të Bajgorës, 2 deponi ilegale në Vaganicë, si dhe dhjetëra hapësira të objekteve shkollore, shëndetësore, afariste, sportive dhe kulturore”, ka theksuar ai.

Sipas tij, aksioni ka përfshirë gjithashtu pastrimin e Parkut të qytetit, shëtitores Kej, rrugëve kryesore, varrezave të Shipolit dhe lagjeve të ndryshme.

“Mitrovica na bashkon në punë të mira për të”, ka përfunduar Peci. /Telegrafi/