LAJMI I FUNDIT:

​Mbi 30 ndërmarrës nga diaspora në Prishtinë, Gashi: Kosovën e shohin si treg potencial për investim

​Mbi 30 ndërmarrës nga diaspora në Prishtinë, Gashi: Kosovën e shohin si treg potencial për investim

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi mori pjesë në mbrëmjen solemne të organizuar nga platforma “Takimi” që mblodhi në Prishtinë mbi 30 ndërmarrës të suksesshëm nga Zvicra, Austria, Gjermania, Suedia dhe Anglia, për t’u takuar me profesionistë në Kosovë.

Zëvendësministrja Gashi ka thënë se motoja e ‘Takimi’-it, “Guxo të ëndërrosh në Kosovë”, jep shpresë për një perspektivë të re dhe një shtet që duam.


Duke i inkurajuar për punën ndër vite, Gashi ka thënë se ndihet krenare me potencialin që diaspora shqiptare ofron kudo nëpër botë.

“Shqiptarët si komunitet jashtë vendit po fuqizohen çdo ditë më shumë, ata po lëvizin dhe etablohen si komunitet që është i gatshëm për të gjitha sfida, të punoj, dhe të ketë një rol të rëndësishëm si qytetar të mirë integruar në vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Ju keni dëshmuar angazhimin e juaj, ngase ndër vite Kosovën e keni parë si treg potencial për investim e zhvillim”, ka thënë ndër të tjerash Gashi në fjalën para ndërmarrësve dhe të rinjve nga diaspora.

Gashi ka thënë se beson që çdo qytetar i Kosovës është një ambasador, dhe se kjo gjë është dëshmuar ndër vite, me artistë e sportistë por edhe me ndërmarrës që kanë vendosur Kosovën në hartën e botës.

Gashi ka thënë gjithashtu se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dyert e hapura për të ofruar përkrahje dhe për të gjetur bashkë format më të mira të bashkëpunimit.

“Takimi”, është një projekt i krijuar nga mediumi Albinfo.ch që ka mbledhur diasporën shqiptare në një organizim dy ditor në Prishtinë.